Shkencëtarët: Stresi në nivele të ulta nuk është gjithmonë negativ! Ja pesë arsye

29

Ndërkohë që shqetësohemi për shumë gjëra, stresi dhe ankthi mund të mos jenë gjithnjë negativë. Raporti i American Psychological Association thekson se stresi nxit mekanizma të nevojshëm psikikë dhe socialë. Na bën të kuptojnë se kur duhet të tregohemi të kujdesshëm përballë një rreziku, ose kur mund të kemi nevojë për të vlerësuar sërish zgjedhjet apo sjelljen tonë.

Më poshtë janë disa arsye se pse stresi në një nivel të caktuar mund të jetë konstruktiv

1.ËSHTË NJË SHENJË SE JENI TË ANGAZHUAR

Stresi mund të jetë një tregues se jeni të angazhuar dhe se shqetësoheni për ecurinë tuaj në punë. Edhe një folës që i drejtohet audiencës në mënyrë të rregullt pranon se ndien flutura në stomak përpara çdo prezantimi. Kjo nuk është dobësi, por tregon se ju intereson publiku, shqetësoheni për të bërë një punë të mirë dhe kërkoni të arrini suksesin. Në të njëjtën mënyrë, stresi mund të jetë një manifestim i interesit tuaj për të bërë më të mirën.

2.ËSHTË SHENJË E MARRËDHËNIES

Stresi tregon gjithashtu edhe një marrëdhënie të shëndetshme me të tjerët. Askush prej nesh nuk punon në boshllëk. Një shkrimtar i vetmuar punon me një lexues dhe një publik në mendjen e tij, një grafik dizajner krijon diçka për një klient. Nuk ka asgjë të keqe që të lejoni pakëz presion të jashtëm t’ju nxisë të bëni më të mirën. Është e natyrshme.

Presioni për të arritur suksesin tregon se jemi pjesë e në komuniteti të gjerë dhe kuptojmë vlerën që sjellim. Nëse puna jonë nuk do të kishte rëndësi, nuk do të kishim arsye për t’u stresuar. Puna që ka rëndësi për komunitetin, është e tillë edhe për ne dhe kjo mund të çojë drejt një dëshire ankthioze dhe pozitive për të pasur sukses.

3.ËSHTË SHENJË E NDËRGJEGJES

Është me rëndësi të theksojmë se ankthi mund të jetë një mesazh se duhet të bëjmë më mirë. Duke qenë pjesë e një tërësie më të madhe, jemi përgjegjës për ndërgjegjen dhe moralin tonë. Nëse ndihemi pak të ‘çekuilibruar’ mund të jetë një nxitje pozitive për të rivlerësuar ndikimin tonë tek të tjerët. Kushtojini vëmendjen e duhur ndjesisë pasi keni bërë një koment negativ apo keni shkruar një email jo pozitiv. Nëse ndiheni në ankth dhe keni dyshime për veten, mund të jetë një shenjë për të kërkuar falje dhe për të ndryshuar sjelljen tuaj në të ardhmen

4.ËSHTË SHENJË SE ËSHTË E NEVOJSHME TË NDRYSHONI

Edhe presioni nën formën e ankthit mund të jetë një motiv për ndryshim. Kur gjërat nuk funksionojnë, mund të merrni në konsideratë për t’i ndryshuar. Një person me mentalitet të mbyllur ua vë fajin të tjerëve apo situatës dhe supozon se të gjithë kanë një karakteristikë fikse. Nga ana tjetër, një person me mentalitet të hapur supozon se ne të gjithë kemi mundësinë për t’u rritur dhe për të bërë ndryshimin. Ndonjëherë stresi mund të jetë një katalizator për të cilin kemi nevojë për një fillim të ri.

5.ËSHTË NJË SHENJË SE KENI NEVOJË PËR SFIDË NË JETËN TUAJ

Mungesa e stimulimit mund të shkaktojë stres. Kemi nevojë për sfida për të qenë të angazhuar dhe të përfshirë mendërisht. Njerëzit kanë aftësinë të përshtaten me rrethanat dhe mjedisin. Psikologu Art Markman shkruan se ekziston një “sweet spot” i stresit ku përfitimet nga stresi kapërcejnë kostot. Vetëm kur kaloni atë pikë, do të filloni të ndieni ndikimin negativ të stresit në jetën tuaj. Kur ju përjetoni stres për shkak të mërzisë, është një arsye e mirë për të gjetur mundësi për të fituar aftësi të reja. Ju mund ta përdorni atë si një nxitës për t’u përballur me një sfidë të re në jetë, si për shembull të drejtoni një projekt.

Tani, duhet të theksojmë që ne nuk këshillojmë që ju të injoroni të gjithë shenjat e stresit dhe ankthit. Ekziston një pikë kur stresi shndërrohet në një pengesë për të jetuar një jetë të lumtur dhe pa një menaxhim dhe ndërhyrje të përshtatshme, ju mund të shkoni drejt mbingarkesës dhe shterimit. Megjithatë, ju duhet të mësoni të përqafoni stresin që ju shtyn të bëni diçka më të mirë. Shmangni që të stresoheni për gjëra të pavlera dhe kushtojini rëndësi sinjaleve pozitive që mund t’ju përcjellë.