Shkodër, unifikim i korsive të biçikletave në dy rrugë të qytetit

6

Në qytetin e Shkodrës, i njohur për traditën e përdorimit të biçikletave, bashkia po vijon punën për unifikimin e korsive të dedikuara për përdoruesit e tyre në dy rrugë.

Sipas bashkisë, korsia përgjatë bulevardit “Zogu i Parë”, që vjen nga drejtimi Xhabije-Parrucë dhe që vijon tashmë deri në sheshin e Parrucës, do të lidhet me korsinë tjetër në rrugën “Daut Boriçi” (Ura Dervishbeg) drejt sheshit “Perash”.

Bashkia e Shkodrës bën të ditur se sot, po punohet për vendosjen e trafikndarëseve plastike në pjesën e re të korsisë në sheshin e Parrucës.

Mësohet se korsitë po pajisen me të gjithë elementet e duhur sinjalizues.

Bashkia bën apel gjithashtu për bashkëpunim me qytetarët për zbatimin e këtij projekti.

“Për realizimin e punimeve kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve me zhvendosjen e automjeteve dhe mos parkimin e tyre në zonën ku po punohet”, thekson bashkia.

Në Shkodër biçikleta vazhdon të jetë një mjet lëvizjeje i preferuar dhe mjaft i përdorshëm nga qytetarët.

/ata.gov.al