Shmangia e evazionit, nga 1 shtatori biznesi vetëm me një NIPT

96

Ndryshimet në Ligjin për procedurën tatimore, parashikon ndalimin e zotërimit të më shumë se një NIPT-i.

Në këto kushte, individët që kanë më shumë se një numër unik të identifikimit të tatimpaguesit NIPT duhet që brenda datës 31 gusht të këtij viti të aplikojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të mbyllur NIPT-et e tjera dhe mbajtjen e një NIPT-i kryesor.

Udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, i publikuar në Fletoren Zyrtare parashikon se “nëse do të vazhdojnë të ushtrojnë aktivitet në adresat që do të mbyllen duhet të aplikojnë në QKB për hapjen e tyre si adresa dytësore të NIPT-it aktiv kryesor”.

Nëse pas përfundimit të këtij afati konstatohet që një individ me të njëjtin numër të identifikimit personal nuk ka zbatuar këtë pikë administrata tatimore do të aplikojë vlerësimin alternativ të tatimpaguesit sipas ligjit për procedurat tatimore.

Kjo nismë synon t’i japë fund evazionit të konstatuar dhe praktikës me hapjen e mbylljen e NIPT-eve për të shmangur pagesën e detyrimeve.