Shqipëria eksporton në 85 shtete të ndryshme të botës, si u rrit prodhimi bujqësor organik

38

Tregu i produkteve bujqësore organike po rritet me shpejtësi, duke sjelle një perspektivë të re zhvillimi për bizneset që kanë në fokus këto prodhime.

Vitin e fundit, prodhimi organik arriti në mbi 2500 tonë, me një rritje mbi 60 % në raport me vitin 2019. Gjithashtu numri i fermave bujqësore që kanë marrë certifikatën e prodhuesit organik arriti vitin e kaluar në 200, nga 40 në vitin 2018.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, fermave organike që zotërojnë certifikatën organike, u mundësohet më lehtë eksporti në tregjet e huaja. Për të eksportuar në vendet e BE-së, produkte organike, fermerët duhet të përdorin metoda të prodhimit organik të përcaktuara në legjislacionin e BE, proces që auditohet nga një certifikues i akredituar nga BE.

Këto produkte mbajnë logon organike të BE-së dhe logon e standardit, Global Gap.

Sipas MBZHR, kompanitë shqiptare të prodhimeve organike përfaqësohen me larmishmëri produktesh që nga mjalti, perimet, frutat dhe mishi dhe bulmeti dhe janë përpara një perspektive të mirë për të rritur fitimet në të ardhmen. Kjo, pasi në tregjet europiane  prodhimet organike shiten me një çmime së paku 30 % më të lartë se prodhimet e tjera ku përdoren kimikatet industriale.

Zhvillimi i prodhimeve organike u shkon për shtat fermave të vogla në vendin tonë të cilat janë të organizuara në sipërfaqe të vogla. Duke prodhuar produkte me vlerë të shtuar ato  rrisin fitimet, favorizuar edhe nga sezoni dhe klima mesdhetare.

Vitet e fundit eksportet e prodhimeve bujqësore janë rritur, teksa gjithnjë e më shumë fermerë po priren për të rritur diversitetin e prodhimeve, cilësinë e tyre dhe nuhatjen për gjetjen e tregjeve të reja të eksportit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se eksportet bujqësore u rritën me 10 milionë dollarë në tre muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në totalin e eksporteve, kryesojnë perimet e freskëta të serrave nga zona të ndryshme të vendit, bimët aromatike mjekësore dhe frutat.

Sot Shqipëria eksporton në 85 shtete të ndryshme të botës.