Shqipëria, i vetmi vend në Evropë që ka shënuar rritje të numrit të fluturimeve komerciale

32

Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që ka shënuar rritje të numrit të fluturimeve komerciale gjatë muajit gusht të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Eurostat, fluturimet komerciale në vendin tonë gjatë gushtit u rritën me 23%, në raport me të njëjtin muaj të 2020-ës, ndërkohë që të gjithë vendet e tjerë të Europës, ndonëse kanë shënuar përmirësim, rezultojnë me rënie të fluturimeve, në raport me 2019-ën që nuk ishte një vit pandemik.

Sipas Eurostat, në gusht 2021, numri i fluturimeve komerciale në Bashkimin Evropian u rrit me 48% në krahasim me gushtin 2020, por këto shifra  janë ende shumë nën nivelet e para-pandemisë.

Më konkretisht, në raport me gushtin e vitit 2019, numri i fluturimeve komerciale është 31% më i ulët. Në terma absolutë, numri i fluturimeve komerciale ishte 479 000 në gusht 2021, krahasuar me 325 000 në gusht 2020 dhe 696 000 në gusht 2019.