Shqipëria jep 50 mijë euro për Bujanocin dhe Plavën! Ja për çfarë do të përdoren fondet

22

Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime për akordime fondesh për shqiptarët që janë jashtë territorit. Vendimi i parë parashikon dhënien e një kontributi financiar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, në masën 25 mijë  euro, për vënien në funksion të Qendrës Kulturore (Multifunksionale) të këtij Këshilli në komunën e Bujanocit. Efekti financiar, prej 25 mijë  euro do të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2019, për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Një vendim tjetër është ai për dhënien e ndihmës financiare nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, në masën 25 mijë euro për mbështetjen e funksionimit të këtij këshilli dhe të zyrës koordinuese të tij në Plavë.

Vendimi përcakton se Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në programin buxhetor “Shpenzime diplomatike jashtë shtetit”, në zërin 605, “Kuota ndërkombëtare”, i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 25 mijë euro. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.