Shqipëria në panairin e Turizmit në Helsinki, fluks vizitorësh

84

Në panairin e përvitshëm ndërkombëtar të Turizmit në Helsinki, më i madhi në këtë fushë në Skandinavi, ndër të 80 vendet pjesëmarrëse, sivjet ishte dhe Shqipëria me një stendë dinjitoze.

Në “Matka 2019” nga data 17-20 janar përveç 3 përfaqësuesve të Bordit Kombëtar të Turizmit të Shqipërisë, ishin edhe 7 firma të tjera turistike, të cilët patën dhe mbështetjen e shqiptarëve me banim në Finlandë.

Interesi i vizitorëve të Panairit për Shqipërinë ishte mjaft i madh, aq sa edhe materialet e shtypura mbaruan në 2-3 ditë.

Në Panair Shqipëria u prezantua edhe nga kompania finlandeze e udhëtimeve turistike “Apollo”, si dhe nga kompania immobiliare finlandeze “Habitare” dhe ajo finlandeze-shqiptare “TripAID Albania”.Gjatë të katër ditëve të panairit në stendën shqiptare qëndroi edhe Konsullja e Shqipërisë, Lili Verdha, e cila ndihmoi në organizimin e takimeve me biznese finlandeze, si edhe me mjaft gazetarë finlandezë e të huaj që kanë shkruar dhe do të shkruajnë për Shqipërinë.