Shqipëria në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Itali, me më shumë se 200 tituj

19

Shqipëria dhe letërsia e saj janë të pranishme edhe këtë vit, me një stendë të posaçme, në Panairin Ndërkombëtar të Librit, edicioni i 33-të i të cilit zhvillohet në Torino nga data 14 deri më 18 tetor 2021.

I vizituar çdo vit nga qindra mijëra vizitorë nga e gjithë Italia, Panairi Ndërkombëtar i Torinos është ngjarja më e madhe e më e rëndësishme letrare e vendit fqinj.

Stenda e Shqipërisë, e organizuar dhe menaxhuar për të tetin vit radhazi nga Qendra e Kulturës Shqiptare (www.centroalbanese.it) ofron për publikun italishtfolës më shumë se 200 tituj, të mbi 80 autorëve bashkëkohorë shqiptarë, të botuar nga 31 shtëpi të ndryshme botuese.

Interesi i publikut të panairit ndaj letërsisë së autorëve shqiptarë është i lartë. Krahas veprave kryesore të Kadaresë, që po ribotohen gradualisht në gjuhën italiane, mjaft të vlerësuara e të kërkuara nga vizitorët janë edhe librat e autorëve të tjerë bashkëkohorë si Ylljet Aliçka, Fatos Kongoli apo Arben Dedja, veprat e të cilëve janë të disponueshme edhe në italisht. Një vend krejt të veçantë në vëmendjen e publikut vijojnë të kenë, vit pas viti, edhe autoret e mirënjohura shqiptare Anilda Ibrahimi, Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi, të cilat e kanë arritur suksesin me vepra të shkruara drejtpërdrejtë në gjuhën e shtetit fqinj.

Falë bashkëpunimit të vyer ndër vite edhe me disa shtëpi botuese shqiptare, krahas librave në gjuhën italiane lexuesit shqipfolës, që vizitojnë Panairin mund të  gjejnë pranë stendës edhe një përzgjedhje titujsh në gjuhën e tyre amtare.

Ky koleksion i vogël, por i çmuar është veçanërisht i vlerësuar nga numri në rritje i të rejave e të rinjve shqiptarë, të lindur apo të rritur në Itali, të motivuar ta njohin më mirë, përmes letërsisë, vendin e tyre të origjinës.

Një tjetër prirje mjaft pozitive mes vizitorëve të Panairit është interesimi në rritje i udhëtarëve nga Italia për Shqipërinë si vendmbërritje turistike. Kjo ka sjellë edhe shtimin e konsiderueshëm të kërkesës për udhërrëfyesit turistikë “Albania & Kosovo” dhe “Tirana & Albania”, të dy tituj të autorëve Benko Gjata dhe Francesco Vietti, njohës të mirë të trashëgimisë dhe ofertës turistike shqiptare.

Prania shqiptare në Panair është një vitrinë e rëndësishme edhe për promovimin e njohjes së vendit tonë nga një publik i kualifikuar, i përbërë nga personalitete të spikatura të jetës publike në Itali.