Shqipëria turistike ‘shkon’ në Panairin Ndërkombëtar të Londrës

28

Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, evenimentin më të spikatur botëror për këtë industri, i cili po zhvillohet në Londër, Shqipëria turistike ka stendën e saj.

Ky panair, që organizohet çdo vit në kryeqytetin britanik, është eventi më i rëndësishëm në industrinë e udhëtimeve. Ai konsiderohet si një nga ngjarjet e pritura dhe me më shumë interes për takimet “business-to-business” që prezantojnë në Britaninë e Madhe një gamë të gjerë të destinacioneve dhe sektorëve të industrisë, si dhe për profesionistët ndërkombëtarë të udhëtimeve.

Vendi ynë përherë e më shumë po promovohet dhe jashtë kufijve me anë të takimeve dhe panaireve të shumta që po zhvillojnë institucionet përkatëse ku fokus është prezantimi i aseteve të veçanta që vendi ynë ofron në turizëm. Ndërkaq, World Travel Market është një mundësi unike për gjithë biznesin global të udhëtimeve, për takime dhe bashkëpunime mes vendeve të ndryshme.