Shqiptarët i kthehen artit dhe kulturës, rritet interesi për muzetë dhe parqet arkeologjike

106

Të dhënat e fundit të kulturës publikuar nga Instituti i Statistikave konfirmojnë interesin në rritje të shqiptarëve drejt ekspozitave, muzeve apo parqeve arkeologjike

Sipas statistikave të kulturës  numri i shfaqjeve kulturore në tremujorin e tretë 2018 është 94, duke pasur një rritje me 42,4 % krahasuar me tremujorin e tretë 2017. Në tremujorin e tretë 2018, numri i spektatorëve është 30.622 duke pësuar rritje me 73,0 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë Pjesëmarrja mesatare në tremujorin e tretë të vitit 2018 është 326 spektatorë/vizitorë për shfaqje dhe ka pësuar rritje me 21,5 % krahasuar me tremujorin e tretë 2017.

“Në tremujorin e tretë 2018, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka realizuar 8 shfaqje kulturore në salla dhe ambiente të mbyllura, me pjesëmarrje të 6.600 spektatorëve, duke shënuar një rritje prej 44,0 % në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2017. Numri mesatar i spektatorëve gjatë tremujorit të tretë 2018 është 825 spektatorë për shfaqje, me një ulje prej 10,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm” vlerëson INSTAT.

Po kështu sipas statistikave në tremujorin e tretë 2018, Teatri Kombëtar Eksperimental regjistron 16 shfaqje dhe 3.327 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 113,4 % në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2017. Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë ka realizuar numrin më të madh të shfaqjeve kulturore në tremujorin e tretë 2018 me 41 shfaqje, duke shënuar rritje me 127,8 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2017. Ky institucion, në tremujorin e tretë të vitit 2018 ka shënuar një numër prej 5.350 vizitorësh duke pasur një rritje prej 94,1 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Numri mesatar i spektatorëve ishte 130 spektatorë/vizitorë për shfaqje duke pësuar rënie me 14,8 % krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017.

Në tremujorin e tretë 2018 Galeria Kombëtare e Arteve regjistron 8.087 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 74,6 % në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2017. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit regjistron 1.510 vizitorë, me një rritje prej 174,5 % për tremujorin e tretë 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

“Numri i vizitorëve në muze, në tremujorin e tretë të vitit 2018 është 114.721 duke shënuar rritje me 46,2 % krahasuar me tremujorin e tretë 2017. Në kala e monumente të tjera, numri i vizitorëve ka një rritje prej 50,7 %, ndërmjet tremujorit të tretë 2018 dhe të njëjtit tremujor në vitin 2017. Në tremujorin e tretë të vitit 2018 numri i vizitorëve në parqe arkeologjike është 206.680 me një rritje prej 37,0 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.” vlerëson INSTAT.