Shqiptarët, të parët në Europë për martesa/ Ja krahasimi me vendet e tjera

140

Shqipëria, me 7.9 martesa për çdo 1000 banorë, nuk njeh garë në kontinentin e vjetër, si shteti me më shumë martesa. Këtë e tregojnë të dhënat më të fundit të Eurostat që i referohen vitin 2017.

Të dhënat për një pjesë të shteteve nuk janë përditësuar ende për vitin 2017, por gjasat tregojnë se asnjë shtet europian nuk mund të na e kalojë, përveç shtetit tjetër shqiptar; Kosovës.

Kjo tregon qartë se shqiptarët i duan shumë martesat. Gjithsesi, duhet nënvizuar fakti se kjo vjen edhe si pasojë e një popullsie relativisht të re në të dyja vendet, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Në Shqipëri norma e martesave është sa dyfishi i mesatares europiane. Kjo e fundit fiksohet në vetëm 4.3 martesa për çdo 1000 banorë.

Pas Shqipërisë, në renditje ndjek Lituania me 7.5 martesa për 1000 banorë e më pas Rumania me 7.3 martesa për 1000 banorë.

Sllovenia me vetëm 3.1 martesa dhe Italia me Luksemburgun me nga 3.2 martesa për 1000 banorë duket se janë shtetet europiane ku njerëzit martohen më pak.