Shtatë muaj udhëtim ndërplanetar, sonda e NASA-s zbret me sukses në Mars

116

Pas gati shtatë muaj udhëtim ndërplanetar, sonda “InSight” e NASA-s u ul sot me sukses mbi sipërfaqen e Marsit, pasi i mbijetoi kalimit të rrezikshëm të atmosferës së planetit të kuq, konfirmoi NASA që nga qendra e saj e kontrollit në Pasadena në Kaliforni.

“Ulja konfirmohet!”, njoftoi kontrolli duke shkaktuar brohoritje të mëdha dhe kërcime nga gëzimi të inxhinierëve dhe shkencëtarëve të NASA-s që ndodheshin në sallën e kontrollit.

Disa minuta më pas, “InSight” dërgoi foton e saj të parë të marrë nga sipërfaqja e planetit, një imazh i mjegullt, pa dyshim i errësuar nga reja e pluhurit që u krijua nga impakti, por ku horizonti është i dukshëm.

Ky mision ka synimin që të kuptojë përbërjen e brendësisë së Marsit, që do të mundësojë të kuptohet se si janë krijuar planetet e gurtë, katër miliardë e gjysmë vite më parë.