“Shtëpi” për mbi 5900 familje pa banesë/ Programi i strehimit për 3 vitet e ardhshme, kush përfiton

69

Qeveria planifikon më shumë mbështetje për familjet e pastreha në të gjithë vendin për tre vitet e ardhshme përmes programeve të ndryshme të strehimit, të cilat i përshtaten kushteve dhe te ardhurave të tyre. Mbështetja financiare për këtë qëllim parashikohet që në vitin 2025 të jetë në 3.1 miliardë lekë nga 1.7 miliardë që është aktualisht.

Në projektdokumentin e planit buxhetor afatmesëm 2023 –2025 detajohet se përmes programit “Strehimi”, për tre vitet në vijim, synon që të mbështesë për herë të parë rreth 3280 familje të pastreha nëpërmjet skemës së kredive të subvencionuara nga shteti. Bëhet fjalë për dhënien e kredive të buta me normë interesi fikse për qytetarët e pastrehë që plotësojnë kushtin e të ardhurave dhe kryesisht për familje të reja.

Përmes marrëveshjes që bën me bankat tregtare, qeveria subvencionon normën e interest shtesë, duke u ofruar mundësinë familjeve përfitues që të kenë një kredi të përballueshme dhe fikse. Po ashtu planifikohet  që të rritet numri i familjeve të pastreha që përfitojnë bonus qiraje nga 381 përfitues të parashikuar në vitin 2023 në 1009 përfitues në vitin 2025. Me këtë program qeveria subvencionon qiranë që duhet të pagujanë familjet e pastreha në vështirësi ekonomike.

Programi parashikon gjithashtu të rrisë numrin e familjeve që i përmirësohen kushtet e banimit me rreth 1318 të tilla përgjatë periudhës 2023-2025. Po ashtu, do të rritet edhe edhe numri i familjeve që përfitojnë banesa sociale me qira ne objekte të adaptuara me rreth 260 familje përgjatë periudhës 2023-2025.

Qëllimi kryesor i këtij programi është të sigurojë, deri në vitin 2025, strehim të përshtatshëm e të përballueshëm për të individëve/familjeve që nuk përballojnë dot kostot e tregut të banesave dhe të reduktojë varfërisë ekstreme në -19 për qind. Në total janë 5967 familje përfituese.