Shtëpia 120-vjeçare në Bual të Përmetit pret vizitorë nga e gjithë bota

1

Kristaq Cullufe, pronari i shtëpisë 120-vjeçare në Bual të Përmetit, e ka gjetur sekretin për të “parë botën”. Ai e ka shndërruar banesën e të parëve të tij në bujtinë tradicionale, ku tashmë vizitorët, siç shprehet ai, ia sjellin gjithë botën aty. Traditional Guest House “Përmeti” ndodhet në fshatin Bual, pak para se të hysh në Përmet, në faqen e një vargu kodrash që ngrihen mbi luginën e Vjosës. Nga rruga nacionale bujtina kur ndriçohet gjatë natës të sjell ndër mend shtëpitë karakteristike një mbi një të qyteteve mesjetare.

Pasi ngjitesh për rreth 20 minuta në rrugën e fshatit, dalin përpara shtëpitë e para. Vetëm 4 km nga qyteti i Përmetit, Buali një fshat mjaft i njohur dhe me tradita në të shkuarën, tashmë ka mbetur gjysmë i banuar, pasi pjesa më e madhe e familjeve ose kanë emigruar që herët, ose janë zhvendosur në Përmet. Shtëpitë e vjetra karakteristike prej guri mbahen ende.

Kristaqi me gruan e tij, Florën dhe dy djemtë e tyre po ashtu ishin zhvendosur në Përmet, derisa disa vite më parë menduan t’i japin sërish jetë shtëpisë prej guri, monument kulture i kategorisë së parë. Pak e nga pak falë edhe promovimit të agroturizmit dhe bujtinave guest house të mbështetura nga politikat qeveritare, biznesi i tyre familjar nisi të sjellë frute. Mikpritja, pastërtia, peizazhet piktoreske të fshatit mbi luginën e bukur të Vjosës, por jo më pak duart e arta në përgatitjen e ushqimit të së zonjës së shtëpisë, tërhoqën vizitorë të shumtë. Pjesa më e madhe vijnë për të kaluar fundjavën, ndërsa të huajt prenotojnë edhe më gjatë duke e bërë bujtinën qendrën nga ku nisen për eksplorimin e zonës së Përmetit, e famshme për natyrën dhe trashëgiminë e pasur kulturore, për kishat e shumta, për banjat termale, për ecjet në mal dhe freskinë e ujërave të lumit.

Nga vizitat e tyre në bujtinë, Kristaqi ka krijuar një koleksion të pasur që nga përshtypjet e hedhura në një fletore, tek kartëmonedhat përfaqësuese të shteteve, fotografi me ta, libra apo kujtime të tjera. Nga bisedat ai informohet se çfarë ndodh në botë, pa pasur nevojë të marrë rrugën.

Bujtina mban gjithashtu trashëgimin e brezave të familjes së Kristaqit dhe gruas së tij, Florës, objekte që ata i kanë ruajtur me fanatizëm dhe tashmë përbëjnë një minimuze që mahnit vizitorët. Perdet e qëndisura e të grira me fiston, me figura fetare apo popullore, veshjet e grave, çentrot e tavolinave, pikturat e vjetra, fotografi bardhezi që ruajnë brenda njerëz, vende e tradita që duken si të një bote tjetër. Gjithçka e ruajtur me pasionin e një koleksionisti të mirëfilltë. Paguret nga koha e luftës, gavetat e ushtarëve plotësojnë vrimën e hapur në çatinë e kullës nga një gjyle e gjermanëve, shtirë nga rruga ndërsa tërhiqeshin prej Përmetit.

Zjarri bubulak në vatër tashmë djeg trarët e kalbur të ngrehinës, e cila po restaurohet falë edhe një bonusi të marrë nga qeveria në mbështetje të ndërmarrjeve të reja në rijetësimin e shtëpive të të parëve. Tryeza nuk mund të jetë më ndjellëse sesa e shtruar nga Flora me byrekun e shijshëm që vjen me disa mbushje, gjellën me arra, karakteristike e zonës, shoqëruar me qofte të vogla aromatike, turshitë e sallatat mjeshtërore me produkte të kopshtit. Rakia dhe vera përmetare nuk mund të mungojnë.

Fshati Bual, siç tregojnë banorët, ka qenë i njohur për mjekët që ka nxjerrë në vite. Banorët thonë se edhe kisha e fshatit u dhurua nga Ali pashë Tepelena i cili gjeti shërim nga gurët në veshka nga një prej mjekëve popullorë të zonës. Kisha tjetër e varrezave edhe pse jo në gjendje shumë të ruajtur përbën një monument që e mrekullon vizitorin, me afresket dhe arkitekturën karakteristike të vendeve të kultit në zonë.

Kështu, mos harroni të ngjiteni në Bual ndërsa shkoni në Përmet.

Bujtina tradicionale “Përmet” përbëhet nga 3 kate me 4 oda me kapacitet 15 shtretër. Shtëpia 120-vjeçare është ndërtuar nga mjeshtër gollobordas të paguar me florinj. Ndërtesa është e stilit bizantin dhe është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1978. Në shtëpi, gjendet edhe një kënd me produkte tipike të zonës (gliko, reçel, erëza dhe bimë mjekësore, raki e verë) që mund të merren me vete si kujtim nga udhëtimi.

Prej aty, të aksesueshme janë disa atraksione turistike, si ecje në malin Dhëmbel, not, rafting e peshkim në Vjosë, banjat termale të Bënjës, Parku Kombëtar “Bredhi i Hotovës-Dangëlli”, fshatrat e tjerë të zonës mbushur me kisha dhe peizazhe fantastike.

Qetësia e fshatit, ajri i pastër, natyra e paprekur dhe thellësia e panoramës që të rrok syri nga tarraca përmbi Vjosë nuk lënë indiferent as më fanatikun e jetës urbane.

ata.gov.al