Shuma marramendëse/ Emigrantët shqiptarë, ja sa miliardë dollarë kanë sjellë në 25 vite

116

Që nga viti 1992, kur nisën prurjet e para, deri më 2017, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, emigrantët shqiptarë kanë sjellë në ekonominë shqiptare 26 miliardë dollarë. Kontributi i tyre vjetor përllogaritet në rreth 8-9% të PBB-së në 10 vitet e fundit. Remitancat në vlerë kanë qenë financuesi kryesor i bilancit të pagesave, duke sjellë valutë në ekonomi më shumë se investimet e huaja.

Gjatë viteve 1991-2007, remitancat ishin më të larta se eksportet, Investimet e Huaja Direkte dhe ndihmat zyrtare. Në gjashtë muajt e parë të 2018-s, emigrantët sollën në shtëpi 331 milionë euro, me një rritje prej 11% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është niveli më i lartë në 6 vjet, që prej vitit 2012.

Banka Botërore, në një anketë të fundit, gjeti se rreth 85% e familjeve shqiptare kishin përfituar financime që shkonin deri në 2350 dollarë në vit gjatë një periudhe 10-vjeçare. Gati gjysma e financimeve janë përdorur për financimin e jetesës së përditshme, veçanërisht për blerjen e ushqimeve, ndërsa pjesa tjetër shpërndahet në mënyrë proporcionale për arsim, kurim, rikonstruksione shtëpie etj.