Shuma më e lartë në 30 vjet, korriku regjistron të ardhura rekord në dogana (SHIFRA)

18

Kërkesa për mallrat kryesore të konsumit e nxitur nga turizmi, e kombinuar me shtrenjtimin e çmimeve kanë sjellë rritjen e zhdoganimeve dhe të ardhurave nga doganat për buxhetin e shtetit gjatë korrikut.

Shifrat zyrtare tregojnë se Doganat kanë shënuar një rekord të të ardhurave të mbledhura në një muaj duke ju afruar shifrës 20 miliardë lekë (rreth 170 mln euro), shuma absolute më e lartë e arritur në historinë e Administratës Doganore në një muaj.

Të dhënat operative nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se në muajin korrik 2022 të ardhurat u realizuan në masën 19 miliardë e 625 milionë lekë. Krahasuar me planin e rishikuar (të rritur) janë realizuar rreth 775 milionë lekë më shumë ndërkohë që krahasuar me korrik 2021 janë realizuar rreth 2,5 miliardë lekë më shumë ose me rritje me rreth 14,4%.

Si periudhë 7-mujore, doganat kanë realizuar 122,7 miliardë lekë të ardhura ose rreth 5,5 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar. Në krahasim me 7-mujorin 2021 janë realizuar rreth 20,8 miliardë lekë më shumë ose rreth 20,4% më shumë.