Si prodhohet një kartëmonedhë shqiptare? BSH: Jo vetëm mjet pagese, por edhe…

37
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, krijimi i një kartëmonedhe të re është një proces kompleks dhe i vështirë, i cili kërkon përmbushjen e disa qëllimeve të ndryshme dhe shpesh të kundërta.
Kjo sipas BSH-së, sepse një kartëmonedhë nuk përfaqëson vetëm një mjet pagese, por edhe një vepër arti.
Përgjithësisht projektimi dhe prodhimi i kartëmonedhave kërkon studime të thelluara. Portretet dhe simbolet kombëtare kanë qenë, tradicionalisht, elementet kryesore të dizenjimit të tyre.
Përvoja ka treguar se publiku mund të dallojë më lehtësisht kartëmonedhat e falsifikuara, kur elementet e dizenjuara në to janë portrete.
Banka e Shqipërisë ka të drejtën ekskluzive të prodhimit të kartëmonedhave kombëtare shqiptare dhe kjo përfshin edhe dizenjimin e tyre. Por nuk duhet të harrojmë se kartëmonedhat janë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe si të tilla ato duhet të pasqyrojnë vlera kombëtare.
Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë krijon një grup të veçantë pune që merret me studimin e tematikës që do të pasqyrohet në një kartëmonedhë të re.

Artistët janë të lirë ta punojnë vizatimin sipas dëshirës: me dorë, kompjuter, me laps, me bojëra, etj. Ndërsa, çdo kartëmonedhë duhet të ketë një ngjyrë dominuese me qëllim që të dallohet lehtësisht nga kartëmonedhat e tjera.

Kartëmonedhat janë mjete pagese. Si të tilla, ato duhet të kenë elemente sigurie shumë të larta, për të shmangur sa më shumë procesin e falsifikimit të saj. Rrjedhimisht dhe printimi i kartëmonedhave kryhet nga kompani të specializuara në këtë fushë.

BSH, bën të diur se, puna për printimin e kartëmonedhës fillon me gdhendjen me dorë të vizatimit të kartëmonedhës në një pllakë të veçantë metalike. Nga kjo pllakë prodhohet një pllakë më e madhe, që quhet lastër. Lastra mundëson printimin e disa kartëmonedhave së bashku në një tabak të vetëm letre.

Kartëmonedhat printohen në një letër të veçantë që prodhohet nga pambuku. Kjo lloj letre dallohet për qëndrueshmërinë e saj të lartë. Gjatë procesit të përgatitjes së letrës, integrohen në të filli i sigurisë dhe filigrama. Këto janë elementet e para të sigurisë që duhet të kërkoni në kartëmonedhë për t’u siguruar për vërtetësinë e saj.
Konkretisht me një lastër mund të printohen 18 kartëmonedha 2000 lekë në një fletë të vetme.
Kartëmonedhat e printuara në tabakë të mëdhenj letre janë gati për t’u prerë. Por përpara prerjes, ato i nënshtrohen një inspektimi, numërimi dhe verifikimi të rreptë, i cili përbën një pikë shumë të rëndësishme në gjithë procesin e printimit të kartëmonedhës.
Vetëm tabakët që plotësojnë 100% kushtet e cilësisë kalojnë në prerje. Pas prerjes, kartëmonedhat kalojnë në një proces tjetër, i cili ka të bëjë me kontrollin e cilësisë milimetrike të përmasave të kartëmonedhës. Pas këtij kontrolli të fundit, kartëmonedhat
paketohen në pako 1000 copëshe.
Më parë kartëmonedhat e printuara duhet të transportohen nga mjediset
e kompanisë prodhuese, e cila gjendet jashtë vendit, në Bankën e Shqipërisë. Ku kontrollohet dhe njëherë. Pas kontrollit, kartëmonedhat vihen në qarkullim në bazë të një vendimi të posaçëm të Bankës së Shqipërisë, shoqëruar me një fushatë informuese për publikun.