Si të lyeni shtëpinë, ngjyrat që ndikojnë në gjendjen tuaj emocionale

84

Ngjyra me të cilën do të vishni muret e ambienteve tuaja të brendshme është shumë e rëndësishme për një jetë të mirë në shtëpi. Këtë e thotë psikologjia e ngjyrave, një fushë shkencore që analizon mënyrën se si ndikojnë ngjyrat tek emocionet e njeriut.

Sipas mbështetësve të kësaj lënde, ngjyrat e përzgjedhura kanë aftësinë ta qetësojnë njeriun por edhe ta stresojnë atë. Në këtë artikull  do të gjeni një udhërrëfyes praktik e të thjeshtë për përzgjedhjen e ngjyrave me të cilat do të lyeni shtëpinë.

Portokallia Në Kuzhinë

Ambientet e kuzhinës përshtaten shumë me emocionet që nxit ngjyra portokalli. Kjo ngjyrë është e ngrohtë, energjike dhe stimulon oreksin. Ajo nxit krijueshmërinë dhe bashkëbisedimin mes njerëzve. Ngjyra portokalli është ngjyra më sociale që ekziston. Kjo ngjyrë rekomandohet për palestër, dhomën e ndenjes, kuzhinën ose edhe për një faqe të caktuar muri në dhomën e fëmijës.

E Gjelbra Për Ëndrra Të Bukura

Ngjyra e gjelbër, rekomandohet për dhomën e gjumit dhe nxit një gjumë të qetë e plot ëndrra të bukura. Nuancat e çelëta të saj janë shumë qetësuese dhe zbutëse. E gjelbra asociohet me tokën, rritjen, fillimin dhe zhvillimin. Ajo është ngjyra e jetës, frymëzimit, paqes dhe shëndetit të mirë.

E Kuqja Për Më Shumë Gjallëri

E kuqja simbolizon zjarrin, lëvizjen dhe gjallërinë. Të kuqen duhet ta përdorni në ambientet që kanë nevojë për ngjyrë të ndezur e pasionante siç është dhoma e ndenjes. Megjithatë, kjo ngjyrë përshtatet edhe në kuzhinë. Duke qenë se është një ngjyrë mbizotëruese dhe e fortë, ajo mund të rrisë tensionin e gjakut.

Bluja Për Motivim, Qetësi Dhe Stimulim

Bluja ka lidhje të fortë me produktivitetin, ndershmërinë dhe autoritetin.Ajo i përshtatet shumë zyrave sepse ka aftësi motviese.Bluja të qetëson dhe të ndihmon të përqendrohesh.

Për më tepër, ajo është ngjyrë e përshtatshme për dhomën e gjumit. Për këtë ambient mund të luani me nuancat e blusë dhe të gjelbrës si një zgjedhje e shkëlqyer për oazin tuaj të qetësisë.

Ke Nevojë Për Hapësirë? Provo Të Bardhën

E bardha krijon iluzionin e hapësirës së hapur por edhe asociohet me pastërtinë. Ajo rekomandohet për hyrjen e shtëpisë, korridorin por edhe zona të tjera të mbyllura që kanë nevojë për dritë.

Ngjyra Rozë

Kjo ngjyrë është argëtuese dhe energjike.Ajo përshtatet shumë në zonën e banjës por edhe të dhomës së gjumit.

Për zonën e banjës zgjidhni një rozë lozonjare e cila do ta vini re se do ju mbajë në humor të mirë, edhe kur të shiheni përpara pasqyrës. Nëse nuk ju pëlqen roza, zgjidhni të verdhën.

E Verdha Diellore

Njësoj si bluja, edhe e verdha përshtatet mirë me shumë zona të shtëpisë, veçanërisht ato ku nuk ka mjaftueshëm ndriçim. Kjo ngjyrë gazmore dhe e ngrohtë ka efekt gjallërues për njeriun. Ajo është e përshtatshme për kuzhinën, korridorin por edhe ambientet e ndenjes. Është një ngjyrë shumë miqësore dhe do ju bëjë të ndiheni sikur jeni të ledhatuar nga dielli gjithnjë./Agroweb