Si të përfitoni duke aplikuar në e-Albania rimbursimin 100% të trajtimit ambulator anti-Covid19

19

Qytetarët e infektuar me COVID-19 mund të përfitojnë paketën 100% të rimbursueshme për trajtimin ambulator anti-Covid19 në banesë përmes aplikimit në portalin qeveritar e-Albania.

Qytetari i diagnostikuar me COVID-19 mund të aplikojë online në e-Albania, përmes shërbimit “Aplikim për recetë të rimbursueshme COVID-19” dhe përfiton falas paketën e barnave për trajtim në shtëpi.

Janë 2 skema rimbursimi të miratuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve sipas shkallës së prekjes nga COVID-19. Skema e parë ka të bëjë me formën e lehtë të prekjes nga infeksioni dhe rimbursimi është në masën 1 650 lekë.

Skema e dytë ka të bëjë me formën e mesme të prekjes nga infeksioni dhe rimbursimi është në masën 10 900 lekë. Qytetarët mund të qëndrojnë të sigurt në shtëpi dhe të aplikojnë duke plotësuar formularin elektronik në e-Albania.

Fillimisht ata identifikohen në platformë duke zgjedhur shërbimin “Aplikim për recetë të rimbursueshme COVID-19”. Në vijim plotësojnë formularin e aplikimit me përgjigjen mbi kryerjen e tamponit dhe simptomat. Kërkesa dërgohet për shqyrtim te mjeku respektiv i familjes dhe qytetari njoftohet me sms, e-mail dhe tek mesazhet e mia në e-Albania me kodin e recetës së mjekut apo me përgjigjet e tij.

Receta me rimbursim lëshohet sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për personat që pas bërjes së tamponit rezultojnë pozitiv për Sars Cov-2 dhe kur mjeku i familjes konfirmon nevojën për mjekim shëndetësor.