Siguria ushqimore për nxënësit, AKU kryen 1375 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin

38

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) me qëllim mbarëvajtjen e vitit shkollor 2020-2021, në garantim të sigurisë ushqimore, por edhe si pjesë e Taskforcës antiCovid ka kryer 1375 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin në biznese ushqimore (si piceri, byrektore, fast-food, markete), që ushtrojnë aktivitete në afërsi dhe brenda institucioneve arsimore.

Përkatësisht subjekte ku përfshihen grupe të veçanta si çerdhe, kopshte dhe shkolla në kuzhinat dhe magazinat përkatëse gjatë periudhës 3-17 shtator 2020.

Gjatë inspektimeve dhe monitorimeve është vërejtur që zbatohen protokollet e sigurisë antiCovid-19, por përsa i përket garantimit të sigurisë ushqimore janë dhënë në rang vendi 96 paralajmërime, kryesisht nëpër biznese që ushtrojnë aktivitetin pranë këtyre institucioneve për mungesë të rinovimit të librezave shëndetësore, mungesë të rinovimit të analizave bakteriale të ujit, sistemimit të ambienteve dhe mungesa e planit 3D.

Gjithashtu, nëpër subjektet që ushtrojnë aktivitetin afër dhe brenda institucioneve arsimore janë marrë mostra për vlerësimin e komponentëve polare të vajit për skuqje, të cilat kanë rezultuar brenda normave të lejuara.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë inspektimet dhe monitorimet në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve.