Situata politike, reagon edhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë

94

Situata aktuale politike ka bërë që edhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë të reagojë përmes një deklarate, ku i bëhet apel klasës politike për zgjidhjen e këtij ngërçi me dialog dhe vetëpërmbajtje.

Më poshtë mund të ndiqni deklaraten e plotë

Deklaratë

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dhe anëtarët e tij (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), po ndjekin me shqetësim situatën politike në vendin tonë, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në aspektin social, ekonomik dhe në të ardhmen e rinisë sonë, duke krijuar një gjendje të pasigurtë dhe duke cenuar shpresën e një populli të vuajtur, por vital e të fortë përballë sprovave me të cilat është përballur historikisht.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bën thirrje politikës shqiptare për dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe për zgjidhje të konfliktualitetit të tejzgjatur, i cili po thellon dhe më shume varfërinë e shqiptareve, ikjen e tyre dhe dobësimin e institucioneve demokratike në vendin tonë.

Ne të gjithë së bashku, duhet të këmbëngulim fort te virtyti i shpresës, që po plagoset dita ditës, duke i bërë thirrje të gjithë faktorit politik të lërë mënjanë dhunën verbale apo fizike, përçmimin e kundërshtarit politik, e të gjejnë medoemos zgjidhje në dobi të të gjithë shoqërisë shqiptare, e sidomos të rinisë sonë, e cila meriton një vend me një të ardhme shpresëplotë.

Lusim Zotin për më shumë dashuri, mirëkuptim e bashkëpunim.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin tonë!

Me respekt,

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë

H. Skender Bruçaj, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Fortlumturia e Tij, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

Mons. George Frendo, Kisha Katolike e Shqipërisë.

H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshata Botërore Bektashiane.

Pastor Ylli Doçi, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë