Skema Kombëtare, mbi 900 aplikime më shumë se vitin e kaluar për mbarështimin e bletarisë

4

Mbi 900 fermerë më shumë se në 2022 aplikuan këtë vit për subvencione direkte në mbarështimin e bletarisë, nëpërmjet Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR) njofton se, 3899 fermerë në shkallë vendi kanë aplikuar “Për mbarështimin e bletarisë”. Në raport me vjet aplikimet për bletarinë janë shtuar 33%.

Për mbarështimin e bletarisë fermerët do të subvencionohen në vlerën deri në 1,000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje.

Sipas AZHBR, bletaria renditet e treta, pas mbështetjes me naftë dhe blegtorisë për sa i takon numrit më të madh të aplikimeve, por edhe numrit të fermerëve përfitues.

Skema Kombëtare është një ndër politikat mbështetëse financiare, që zbaton qeveria prej disa vitesh për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë në vendin tonë.

Aplikimet për subvencione këtë vit u mbyllën më 11 prill. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë numri i total i aplikimeve arriti në 68,647 aplikime nga 58,039 që ishte numri i tyre në 2022.

/ata.gov.al