Skema/ Si do të përfitojnë fermerët naftë falas

82

Duke nisur nga 1 janari 2021 të gjithë fermerët që përdorin mjete të motorizuara për të punuar tokën do të përfitojnë nga programi më i ri shtetëror, ai i naftës falas, shkruan PO.AL

70 mijë fermerë të regjistruar me NIPT, me rreth 120 mijë ha tokë bujqësore përfitojnë 7 mijë ton naftë dhe karburant falas pa akcizë dhe pa taksën e karbonit dhe qarkullimit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, çdo fermer tërheq me kartë 55 litra karburant falas, me 0 detyrime fiskale, për çdo hektarë tokë bujqësore që punon.

Programi i qeverisë për naftë falas për fermerët, funksionon me një mesatare të përllogaritur të konsumit të traktorit dhe mjeteve të tjera të rënda për punimin e një hektari tokë sipas secilës kulturë të mbjellë.

Në sasinë e konsumuar, shteti lehtëson për fermerët barrën e akcizës, taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit, një lehtësim prej pothuajse 70 lekësh për litër.

Karta e fermerit për tërheqjen e karburantit do të jetë e vlefshme në të gjitha ose një pjesë të pikave të karburantit për të cilën po punohet për t’u përcaktuar, ku fermerët do të munden të tërheqin në moment sasinë e tyre të naftës falas.

Sa i përket aplikimit ai do të jetë falas dhe në kohë reale përmes një formulari që plotësohet elektronikisht në e-Albania.

Për vitin e parë, efekti në buxhet e shtetit si rezultat i kësaj nisme të qeverisë llogaritet në 1 miliard lekë ose 10 milionë usd.

Në parashikimet e qeverisë, programi i naftës falas do të shërbejë për rritjen e prodhimit, të ardhurave në ekonominë rurale, njëkohësisht synon formalizimin e sektorit, për të rritur eksportet dhe për të identifikuar më mirë nevojat dhe fermat që do të mbështeten me subvencione në vitet në vijim.