Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho sjell albumin me 14 arie operistike “Anima Rara”

4

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho sjell albumin me 14 arie operistike “Anima Rara”. Artistja rrëfen arsyet, se përse në këtë album recital ka përzgjedhur edhe rolin e Violetës tek “La traviata”, të cilën e ka kënduar rreth 300 herë në skenat më prestigjioze të botës.

Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, as gjatë pandemisë COVID 19 nuk ka hequr dorë nga muzika klasike. Ajo është duke punuar për t’i dhënë jetë albumit recital “Anima Rara”.  Në këtë album artistja përfshinë muzikën e interpretuar nga sopranoja e njohur lirike Rosina Storchio.

Ariet e disa prej operave më të njohura, që Jaho këndon janë: ‘Madama Butterfly’ e Puçini-t, ‘La Bohmeme’ e Leoncavallo-s, ‘Siberia’ e Giordano-s dhe ‘La traviata’ e Verdi-t, e shoqëruar nga Orkestra “Comunitat Valenciana Andrea”. Vet artistja përmes rrëfimit në rrjete sociale, zbulon detaje për regjistrimin e arieve operistike, veçanërisht “La traviata”-s.

“’La Traviata’ është shumë e veçantë për mua, pasi ka qenë opera e parë që kam dëgjuar. Madje ka qenë shkaku, pse unë vendosa të bëhesha këngëtare klasike.  Pasi e dëgjova këtë operë për herë të parë, rashë menjëherë në dashuri me shpirtin e Violetës dhe ëndrra ime filloi. Dëshiroja të interpretoja të paktën një herë në jetë rolin e Violetës. Dhe tani, e kam jetuar këtë ëndërr përreth 3 qind herë. Dhe çdo herë, në secilin nga rastet që unë kam veshur fustanin e saj kam zbuluar shpirtin e saj njerëzor të lidhur me shpirtrat tanë njerëzor”, shprehet sopranoja Ermonela Jaho.

E vlerësuar nga kritika botërore, si një nga këngëtaret më të shkëlqyera lirike, për vërtetësinë dhe forcën që përcjell përmes interpretimit, sopranoja shpjegon arsyet, se përse në rolin e Violetës, ka gjetur vetveten

“Çdo herë kam zbuluar shpirtin e Ermonelës dhe kjo është një nga arsyet që pse unë dua që aria nga “La traviata” të jetë në albumin tim të parë. Ne vendosëm të këndojmë “Addio del passato”, arien nga akti i fundit i Traviatës. “Addio del passato” është një lamtumirë që i jepet jetës. Violeta është tërësisht e braktisur, nga Zoti apo shoqëria dhe njerëzit që ajo do.  Unë e lidh gjithmonë këtë pjesë me ndjesinë e të arriturit në atë pikë, sa të humbasësh besimin në çdo gjë që ka pasur rëndësi në jetë. Dhe kjo është kaq e trishtë!”, vijon Jaho.

Ndonëse, eksperiencat që artistja shqiptare numëron në skenat botërore janë të shumta, ajo vazhdon që ta dojë përherë edhe më shumë rolin e Violetës tek “La traviata”.

“Ne të gjithëve na ka ndodhur të gjendemi buzë greminës dhe është shumë e dhimbshme. Është shumë e dhimbshme, dhe të kuptohesh vetëm pasi ke ikur. Siç ndodhi me Violetën. Kam zbuluar veten time në këtë arie, sa herë e kam kënduar. Ndërsa jeta kalon dhe numëroj eksperienca të reja, kjo arie më bën të reflektoj për secilën prej tyre, ja pse e pëlqej atë kaq shumë”.

Në albumin “Anima Rara” që del në treg edhe në formatin fizik e digjital nga data 25 shtator, përfshihen 14 arie me muzikën klasike më të vlerësuar në botë.