Sopranoja shqiptare fiton çmimin e dytë në garën për Opera Barok në Austri

27

Dioklea Hoxha është shpallur fituese e çmimit të dytë në edicionin e dhjetë të Garës Ndërkombëtare të Këndimit për Opera Barok “Pietro Antonio Cesti” në Innsbruck të Austrisë, për interpretimin e disa arieve baroke të kompozitorëve Alessandro Melani e Antoni Cesti, shkruan KultPlus.

Sopranoja shqiptare u cilësua nga juria si një zë i veçantë skenik dhe karizmatik. Gara kishte gjithsej 200 interpretues të muzikës barok, nga e gjithë bota.

“Innsbrucker Festwochen der Alten Musik”, përmes një njoftimi në Facebook, përmend sopranon shqiptare si fituese të çmimit të dytë, krahas Grace Durham që ishte fituese e çmimit të parë dhe Theodora Raftis fituese e çmimit të tretë “Përgëzime juve dhe të gjithë finalistëve. Ju lumtë!”, shkruhej në njoftimin e bërë në Facebook.

Koncerti zuri vend në sallën e madhe të “Haus der Musik”. Garë kjo e themeluar nga Alessandro De Marchi në vitin 2010 dhe brenda shumë pak vitesh është kthyer në një nga kompeticionet më të rëndësishme në botë, për sa i përket operës së barokut.

Dioklea Hoxha, studimet për muzikë i ka kryer në Prishtinë. Kurse studimet master si soliste vokale në degën Rilindje dhe Barok në Conservatorio di musica “Luigi Cherubini” në Firence.