Spektakël në plazhin e Pishë-Poros në Fier, ‘ushtria’ e flamingove ‘pushton’ zonën turistike

48

Flamingot kanë mbërritur në plazhin e Pishë-Poros në Fier, duke e bërë këtë zonë një atraksion të vërtetë turistik, ku përveç bukurive të natyrës i shtohet në pranverë dhe një nga shpendët më të bukur të natyrës.

Përveç Nartës dhe parkut kombëtar Divjakë-Karavasta, vitet e fundit flamingot janë të pranishme edhe në Pishë-Poro.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla, deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra. Madje me një këmbë ata edhe flenë.

Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri në 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2–3,6 kg. Duke kombinuar peshën dhe ngjyrën, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët.

Vitet e fundit ka patur prezencë të kolonisë së flamingove (Phoeniopterus roseus) në Rezervatin Natyror të Pishë-Poros.