Sporti kthehet në shkolla, qeveria akordon fondin 2.5 milionë dollarë

15

Duket se në shkollat shqiptare po kthehet sporti, i cili mungon prej dekadash, përmes një projekti të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, për të cilin Qeveria ka akorduar një fond prej rreth 2.5 milionë dollarësh. Fondi është miratuar nga Qeveria më 27 dhjetor të vitit që sapo lamë pas dhe parashikon Financimin, në masën 250 milionë lekë, të projektit “Ekipet sportive në shkolla”, në kuadër të lëvizjes olimpike shqiptare të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

KOKSH-i, sipas vendimit, duhet që brenda muajit janar 2023, të paraqesë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit projektin e detajuar dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e tij, duke identifikuar të gjitha aktivitetet/produktet dhe infrastrukturën e parashikuar në projekt, kohëzgjatjen e zbatimit të projektit, federatat dhe organizmat e tjerë përfitues nga projekti. Projekti duhet të jetë i kostuar me të gjithë produktet/zërat analitikë të shpenzimeve, në përputhje me klasifikimin ekonomik buxhetor të tyre.

Më tej KOKSH-i duhet të raportojë periodikisht mbi bazë katërmujore në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për ecurinë e aktiviteteve/produkteve dhe realizimin financiar të projektit. Brenda muajit janar 2023 të depozitohet në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raporti vjetor i veprimtarisë së projektit “Ekipet sportive 2022”, përfshirë raportimin financiar.

Vendimi përcakton gjithashtu se Ministria e Arsimit dhe Sportit cakton një grup pune për mbikëqyrjen e realizimit të mbështetjes financiare të ekipit kombëtar të futbollit, ndërkohë që ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë si dhe Federatën Shqiptare e Futbollit për zbatimin e tij.