“Streha mes reve”/ Filmi shqiptar me kast ndërkombëtar, premierë në Ditën e Pavarësisë

179

Filmi i dytë me metrazh të gjatë i Robert Budinës, “Streha mes Reve” do ta ketë premierën ditën e pavarësisë në një festival të kategorisë A, si ai i Talinit në Estoni.

Me një kast mbarëkombëtar, fakti që filmi arriti të jetë në Talin në një datë të rëndësishme historike ka simbolikën e vet.

Por, si arriti filmi të konkurojë këtu?

Regjisori Robert Budina tha: “Ishte shumë e papritur pjesëmarrja në këtë festival, që është mes 7 më të mirëve në Evropë”.

Protagonisti Arben Bajraktari, i njohur nga Harry Poter dhe Taken, ishte një arsye më vete që ndihmoi në promovimin e filmit. Aq më tepër që në film ai interpreton rolin e një bariu, ashtu si dikur ishte në rini të vet.

“Deri në moshën 14-vjeçare, Arbeni ka qenë bari, përpara se të shkonte në Slloveni ku studioi për aktrim dhe u bë shumë i famshëm. Pasi ka luajtur në filmat e Hollivudit, tani po interpreton bariun në një film shqiptar”, shprehet Budina.

Mesazhi që filmi përcjell në lidhje me besimin dhe fenë është po ashtu i një rëndësie universale: “Nuk është feja ajo që i ndan njerëzit, por janë interesa të ndryshme që e përdorin fenë për të përçarë njerëzit”.

Premiera e filmit në Shqipëri do të vijë pas konkurrimit, më 13 dhjetor. Ky film është financuar nga QKK dhe ky është një rast tjetër ku kinemaja shqiptare është prezente për të huajt.