Studimi/ Konsumimi i kafes zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të mëlçisë

36

Një studim i ri ka zbuluar se konsumimi i çdo lloj kafeje ul rrezikun e sëmundjes kronike dhe kancerit të mëlçisë, si edhe të vdekjes nga këto gjendje shëndetësore.

Studimi, i kryer nga shkencëtarët në Universitetet e Southampton dhe Edinburg në Britaninë e Madhe, është botuar në revistën “BMC Public Health”.

Përfitimi më i madh vjen nga konsumimi i 3-4 filxhanëve kafe, madje edhe pa kafeinë, në ditë.

Autorët e studimit analizuan të dhënat shëndetësore të 494 585 personave në BM, duke i ndjekur ata për një mesatare prej 10,7 vjetësh.

Nga grupi, 384 818 ishin konsumatorë të kafesë dhe 109 767 jo.

Konsumatorët e kafesë konsumuan kafe me kafeinë, pa kafeinë, të sapobluar dhe të parapërgatitur.

Të krahasuar me pjesëmarrësit që nuk konsumuan kafe, rreziku i sëmundjeve kronike të mëlçisë te konsumatorët e kafesë rezultoi 21% më i ulët.

Ata kishin një rrezik të zvogëluar, 19%, të zhvillimit të sëmundjes kronike të mëlçisë yndyrore dhe me 21 % të zhvillimit të karcinomës hepatocelulare.

Gjithashtu, konsumatorët e kafesë kishin 49% më pak të ngjarë të vdisnin nga sëmundjet e mëlçisë.