Studimi në Shqipëri: Një nënë e fuqizuar rrit fëmijë të fuqizuar

34

Sot, World Vision Albania lançoi për herë të parë në Shqipëri studimin “Gra të fuqizuara, fëmijë të fuqizuar” i cili analizon marrëdhënien që ekziston mes fuqizimit të nënës dhe fuqizimit/ përmirësimit të jetës së fëmijës.

Sipas gjetjeve të studimit, një nënë e fuqizuar rrit fëmijë të fuqizuar. Kjo është një ndër gjetjet kryesore të studimit të ndërmarrë nga World Vision Albania. Si rrjedhojë, fuqizimi i nënave është i lidhur ngushtë me qendrimet pozitive ndaj të mësuarit dhe marrjen e njohurive të reja. Gjithashtu, nënat që përfshihen në vendimmarrjet e familjes, kanë akses në ndihmën ligjore dhe arrijnë të mbrojnë fëmijët e tyre nga dhuna.

Mbledhja e të dhënave të këtij studimi është realizuar në harkun kohor maj-qershor 2021. Pjesë e tij janë bërë 464 fëmijë të grupmoshës 11-17 vjeç dhe 464 gra (nëna) të grupmoshës 35-50 vjeç në 8 qytete të vendit. Mbledhja e të dhënave sasiore dhe cilësore është realizuar përmes telefonatave për shmangien e infektimit dhe përhapjes së COVID-19 në përputhje me protokollet në fuqi gjatë periudhës kur janë mbledhur të dhënat.

Mirëqenia e fëmijëve është thelbësore, prandaj edhe investimi për fuqizimin e nënave, adresimin e problematikave, përfshirë këtu edhe normat e dëmshme sociale, është një parakusht i domosdoshëm për të rritur fëmijë të arsimuar, me vetëbesim dhe qytetarë aktiv të së nesërmes.