STUDIMI/ Qarku elektronik e rrit me 25% memorien e njeriut

157

Kur shkencëtarët thonë që njeriu ka me miliarda e me miliona neuronë, të krijohet ideja që ka vend të mjaftueshëm për të kujtuar çdo gjë që na ndodh. Megjithatë, ne harrojmë shumë gjëra. Që nga vendi ku kemi lënë çelësat e deri te vargjet e asaj këngës.

Për të tjerë, problemet me kujtesën janë më të rënda se shqetësimet e vogla të përditshmërisë. Të sëmurët me Alcajmer e Dementia, për shembull, hasin probleme nga më të rëndat.

Për këtë arsye, shkencëtarët janë përpjekur të gjejnë mënyra se si të shtojnë kapacitetin e trurit për të ruajtur informacion. Dhe duket se këtë e ka arritur një ekip kërkuesish në Universitetin e Kalifornisë Jugore.

Në një konferencë të mbajtur në Uashington, për Shoqatën e Neuroshkencës, përfaqësuesi i ekipit kërkues, Dong Song, paraqiti një pajisje që ai e quan “protezë memorieje”.

Bëhet fjalë për një sondë që vendoset në nerva dhe që ka një elektrodë, (Parylene C, një polimer me përputhshmëri biologjike USP Class IV) e cila riprodhon shkarkime elektrike.

Ekipi e vendosi impiantin në trurin e 20 vullnetarëve, të cilët kanë pasur që përpara një mikro-elektrodë të ngulur në tru, për trajtimin e epilepsisë.

Ata iu nënshtruan testeve për kujtesën dhe u vu re se mbanin mend forma të paqarta figurash që i përsëriteshin nga 5 deri në 75 sekonda distancë.

Përfundimi është që kujtesa afat-shkurtër, në këtë rast, përmirësohet me 15%. Ndërsa kujtesa e nevojshme për të punuar përmirësohet me 25%.