Syri i Sheganit, pikturë natyrore ekoturistike

19

Syri i Sheganit, pjesë e zonave të mbrojtura, xhevahir i Malësisë së Madhe buzë liqenit të Shkodrës është një prej atraksioneve të kësaj zone që tërheq turistë si një ekosistem natyror i mahnitshëm.

Me pamjen e mrekullueshme që të ofron burimi karstik i Syrit të Sheganit në Malësi të Madhe, aty ku uji i kaltër pikon duke lagur fillimisht qerpikët rreth syrit, pastaj rrjedh në faqet e këtij bregliqeni, zona promovohet si pjesë e itinerarit të atraksioneve të qarkut Shkodër.

Syri i Sheganit është një burim i madh që gjendet në afërsi të fshatit Rrogom, të komunës Bajzë në rrethin e Malësisë së Madhe, pranë buzës lindore të Shkodrës, në lartësinë rreth 6 metra mbi nivelin e detit.

Nga banorët e zonës njihet edhe me emrin Sifoni i Virit. Uji i burimit të Sheganit del nga një oxhak karstik me thellësi rreth 22–28 m dhe gjerësi 3–5 m, është ujë të pastër dhe i ftohtë, që vjen nga ujërat karstike të Alpeve Perëndimore të Shqipërisë. Eksplorimet e tanishme kanë arritur deri në gjatësinë 80 m të rrugës që përshkojnë ujërat e këtij burimi.

Më pas është një shpellë e shembur që pengon eksplorimin. Në ujërat e tyre ka peshq e gjallesa të tjera. Burimet krijojnë një mjedis shumë tërheqës me vlera shkencore (hidrologjike, speleologjike, gjeomorfologjike), didaktike, estetike e turistike. Vizitohet sipas itinerarit qyteti i Shkodrës-Koplik-Ivanaj-Gashaj-Shegan.

Syri i Sheganit është një nga destinacionet më të preferuar të turistëve kryesisht të huaj.

/ata.gov.al