Tabela informuese për ata që vizitojnë Komanin

431

Një vizitor që zgjedh të shkojë në Koman, tashmë do ta ketë më të lehtë të njihet me historinë e këtij siti të njohur arkeologjik. Në mbledhjen e saj të fundit KKR ka miratuar projektin për “Vendosjen e Tabelave Informative” që mundësojnë vizitën e sitit Arkeologjik të Komanit. Përmes këtij vendimi promovohet “Kultura e Komanit” si dhe ajo e peizazhit natyror dhe zonës përreth saj,  nëpërmjet realizimit të shtigjeve të ecjes me këmbë nëpër Qytezën e Dalmaces, në Koman (Bashkia Vau  Dejës), shënjimit të tyre dhe regjistrimit me GPS.

Ky  destinacion i ri, është një mundësi mjaft e mirë për zhvillimin e turizmit kulturor dhe atij të aventurës, duke bërë të mundur njohjen e një prej thesareve të tjera të trashëgimisë kulturore në Shqipëri si dhe pamjet spektakolare që të ofron natyra. Gjithashtu ky sit arkeologjiko-natyror është edhe një mundësi për zhvillimin ekonomik e social të zonës, e cila mbart tradita karakteristike.

Gjithsej janë 8 shtigje të cilat mund të bëhen të gjitha bashkë, përreth sitit arkeologjik. Shtigjet e realizuara me GPS si edhe të shënjuara gjatë gjithë gjatësisë së tyre do t’i drejtojnë turistët në vendbanim duke u dhënë kënaqësinë e vizitave në kishat, banesat, punishtet, nekropolin si edhe të natyrës përreth.

Në fillim të sitit, në vendbanimin kryesor dhe në fund të sitit arkeologjik vendosen tri  tabela të mëdha informative, të cilat tregojnë shtigjet si edhe historinë që e shoqëron këtë  mrekulli të trashëgimisë sonë kulturore.

Përgatitja e informacionit në tabela është  hartuar nga arkeologia Etleva Nallbani, drejtuese e Misionit Arkeologjik Francez, ndërsa përpunimi i shtigjeve në GPS në hartë është bërë nga Sabah Seferaj dhe ekspertë të tjerë të Shoqatës COSPE, në Shkodër.

Komani është një nga vendbanimet mesjetare më të rëndësishme të Shqipërisë, rreth 60 km larg nga Shkodra në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës. Zbulimet e varrezës mesjetare të Komanit, më e madhja e gërmuar deri tani në Shqipëri i kanë dhënë emër “Qytetërimit Mesjetar të Komanit” në territorin shqiptar dhe më tej në Ballkanin Perëndimor. Komani përmendet në relacionet e priftërinjve françeskanë që nga mesi i shek.19 dhe nga shumë udhëtarë të huaj që vizituan Shqipërinë. Gërmimet e para në varrezën e Dalmaces u realizuan në vitin 1898 nga ish-konsulli francez në Shkodër, Alexandre Degrand. Rëndësia historike e vendbanimit të Koman ( Dalmace) dhe pasuria e madhe arkeologjike e tij, bën që me vendim të Këshillit të Ministrave të datës, 22/09/2015 i gjithë territori prej 100 ha të vihet nën mbrojtje të shtetit shqiptar, i kategorizuar në zona të mbrojtura A dhe B. Vendbanimi arkeologjik është i vizitueshëm vetëm me këmbë.

Burimi: Shqip.com