“Tajlanda e vogël” në Europë, France 2 promovon Shqipërinë

126
 Shqipëria “Tajlanda e Vogël” në Europë… Kështu cilësohet vendi ynë përmes një kronike të realizuar nga televizioni publik “France 2”, i cili fton shikuesit e vet të zbulojnë Shqipërinë.

Përmes reportazhit të realizuar në brigjet e Jonit, ku promovohen njëkohësisht edhe sitet arkeologjike, “France 2” sjell po ashtu dëshmi të turistëve të huaj që pushojnë në Shqipëri.

“Kudo që të ndodheni, deti dhe malet janë para syve tuaj në horizont. Në bregdet një det akuamarinë. 4 orë nga Parisi, Shqipëria është një destinacion lehtësisht i arritshëm në Europë. E mbiquajtur si “Tajlanda e vogël” nga banorët gjendemi në Ksamil me ujin e tij ngjyrë gurkali, një plazh shumë i preferuar nga turistët”, thuhet në reportazhin e “France 2”.

“Uji, deti është fantastik. Ngjyra është si në Maldive”, thotë një turiste.

“Është me të vërtetë shumë bukur. Deti është shumë i pastër, është si në parajsë. Raporti cilësi-çmim është gjithashtu shumë i mirë. Një zgjedhje e shkëlqyer për vlerën e shpenzuar”, shprehet një tjetër turist.

Një çift turistësh francezë kanë zgjedhur një vilë me pishinë dhe pamje nga deti Jon. Të magjepsur nga vendndodhja, ata paguajnë 75-140 euro nata në mes të sezonit.

Patrice Pappas shprehet se “vendi në të cilin jemi këtu nëse do të mund ta spostonim në Cote DÁzur, do të paguanim 7-10 herë më shumë nga atë që paguajmë këtu. Shtëpia ka 80 metra katrorë me sallon, kuzhinë, dy dhoma të menaxhuara nga pronari i saj, Herve Loiselet, i cili jeton në Shqipëri prej 20 vitesh.

Në 300 metra mbi nivelin e detit, fshti i vogël i Qeparosë me shtëpitë e tij prej guri të rrethuar nga qiparisë, ofron një panoramë të jashtëzakonshme dhe qetësi të garantuar.

Në 2019, Shqipëria priti më shumë se 6.5 milionë turistë, gati dy herë më shumë se 15 vjet më parë. Për t’iu përgjigjur fluksit në Rivierë, hotelet po shumëfishohen me dhoma rreth 60 euro nata. Disa kilometra larg këtij stacioni bregdetar, banorët organizohen për të dhënë dhoma me qira, shumë herë më të lira për udhëtarët nga e gjithë bota mbarë.

Xhilda Sula, sipërmarrëse, thotë për “France 2” se ka 6 dhoma, të cilat në qershor i jep me 20 euro nata, në korrik me 30 euro, ndërsa në gusht mund të shkoj deri në 35 euro.

Vizitorët që largohen për një moment nga plazhi mund të zbulojnë pasuritë e tjera të këtij vendi, siç është Butrinti, një park arkeologjik i vendosur në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Me 235 mijë vizitorë, në vitin 2019, ky është siti kulturor më i vizituar i Shqipërisë.

Një çift që udhëton me një rulotë ka mbërritur në Shqipëri disa ditë më parë. “Gjithmonë kishim ëndërruar të vinim në Shqipëri. Është një vend magjik për ne. Kalojmë mëngjesin duke vizituar vende, mesditën në plazh ku uji është 27-28 gradë, është e mrekullueshme”, thonë ata.

E mbyllur përgjatë dekadave të regjimit komunist, Shqipëria ndjek rrugën e turizmit prej disa vitesh. Një vend ballkanik që i ofron turistëve peizazhet e fundit të paeksploruara të Mesdheut e që mbetet ende edhe sot një destinacion i lirë.