Tarifa më të lira për thirrjet brenda rrjeteve, AKEP heq kufizimin për operatorët celularë

15

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) vendosi këtë muaj të heqë detyrimin e operatorëve celularë për të aplikuar tarifa të njëjta në thirrjet brenda rrjetit dhe ato jashtë rrjetit.

“AKEP në këtë fazë, duke konsideruar faktorët “pro dhe kundër“, të referuar në dokumentin e analizës për shërbimin e terminimit të thirrjeve mobile, karakteristikat dhe rrethanat kombëtare qasjen e Komisionit Europian për mosderregullimin e thirrjeve ndërkombëtare nga dhe drejt vendeve të treta, vlerëson lënien në derregullim të tregut të terminimit të thirrjeve hyrëse ndërkombëtare siç është aktualisht deri në fazën e ardhshme të tregut, ku do të analizohet edhe mundësia për të orientuar tarifat drejt një euro tarife të njëjtë për shërbimin e terminimit të thirrjeve zanore në Shqipëri, njësoj si tarifa e unifikuar e BE-së në tregjet e terminimit. Gjithashtu AKPE vlerëson se masa rregullatore për mosdiskriminim e thirrjeve mobile on net/off net e vendosur në vitin 2014, ka dhënë efektin e saj në përputhje me qëllimin e vendosur dhe si e tillë gjykon që kjo masë të tërhiqet në referencë me parashikimet e ligjit”, thuhet në dokumentin mbi analizën e tregut të telefonisë celulare.

Arsyet për tërheqjen e kësaj mase rregullatore ndër të tjera argumentohen nga faktorët si” struktura e re e tregut me dy operatorë mobile, mungesa e stimujve të nevojshëm për aplikim të tarifave grabitqare për krjimin e grupeve të mbyllura, apo dhe struktura e thirrjeve e balancuar për një periudhë relativisht të gjatë.

Këshilli drejtues i AKEP në nëntor 2022 vendosi kalimin e të drejtave dhe detyrimeve të caktuara në akset rregullatore të nxjerra nga AKEP si dhe Autorizimet e Përgjithshme dhe Individuale të sipërmarrësit Albtelecom te sipërmarrësi One, i cili ka hyrë në fuqi me 1 janar 2023, në përfundim të këtij procesi me pasqyrimin e ndryshimeve përkatëse të ekstrakteve të dy shoqërive Albtelecom dhe ONE në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

/ata.gov.al