Të vetëpunësuarit tashmë do të kenë të paktën një muaj kohë afat për t’u deklaruar në tatime për efekt pagimi kontributesh, sipas një ndryshimi të fundit në ligjin për mbledhjen e detyrueshme të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore. Sipas ndryshimeve deklarimi në organin tatimor nga të vetëpunësuarit (pa punëmarrës) bëhet të paktën 3 ditë përpara afatit të paraqitjes së deklaratës, ku sipas ligjeve në fuqi, afati i deklaratës është brenda datës 20 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori te vitit kalendarik. Psh, nëse një i vetëpunësuar është regjistruar në QKR në janar, ai ka afat të bëjë deklarimin deri në 17 mars, por kontributet do i llogariten që nga dita e parë që ka hapur aktivitetin.
Bizneset e tjera të reja (jo të vetëpunësuar) kanë afat brenda dy ditëve pune pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në administratën tatimore, të deklarojnë në organin tatimor listën e të punësuarve dhe pagën përkatëse.
Në këtë mënyrë zgjidhet paqartësia ligjore, që çoi në gjobvënien masive të bizneseve, kryesisht të vetëpunësuar, në qershor të vitit të kaluar, gjoba që do të fshihen tashmë, në kuadër të ligjit të faljes, drafti i të cilit pritet të miratohet së shpejti.