Të gjithë jemi të rëndësishëm

31

Të gjithë jemi të rëndësishëm. Të gjithë kemi lindur për të qenë të barabartë dhe pavarësisht diferencave kemi potencialin për të zhvilluar talentet tona, për të falur dashuri, për të dhuruar buzëqeshje, si dhe për të dhënë kontribut në komunitetet ku jetojmë.

I tillë është edhe Armando, 6-vjeçari që jeton në një fshatrat në periferi të Lezhës. Vitet e para, prindërit e kishin të vështirë të kuptonin sjelljet e djaloshit. Në moshën 3-vjeçare, pas disa vizitash mjekësore, ata mësuan se Armando kishte çrregullime të spektrit të autizmit. Një realitet i panjohur për ta, por edhe pse në vështirësi ekonomike, ishin gati të bënin gjithçka për mbështetjen e vogëlushit të tyre.

 “Në fillim Armando nuk kuptonte shumë. Fjalët që artikulonte ishin të rralla. Tashmë duket se ka shpresë për djalin tonë. Ai ka filluar të kuptojë shumë gjëra, artikulon më shpesh dhe ka mësuar fjalë të reja,” – na tregon babai i 6-vjeçarit.

Armando nuk ka mundur të ndjekë ende kopshtin, pasi jeton në një zonë të thellë ku mungon dhe transporti urban, por prej tre vitesh ai është bërë pjesë e programit social “Tungjatjeta Jetë”. Përmes njësisë lëvizëse, një herë në javë, ekipi i “Tungjatjeta Jetë” në Lezhë udhëton drejt shtëpisë së vogëlushit për t’i dhënë ndihmë në bazë të një plani individual zhvillimi që ekspertët kanë hartuar për të. 6-vjeçari ka krijuar një lidhje të fortë emocionale me Eradën, logopeden e “Tungjatjeta Jetë”, e cila na tregon se puna e përjavshme po rezulton të jetë jetëndryshuese për Armandon.

“Në fillim tek Armando vija re që kishte mungesë në komunikim. Ai kishte sjellje të përsëritura, si edhe reagime specifike. Ndërsa sot jam e kenaqur, pasi Armando është duke u përmirësuar çdo ditë. Në fakt, tani shoh më shumë ndryshimet pozitive, sa çrregullimet,” – na tregon Erada, teksa flet përmirësimin e vogëlushit.

Në fokusin e punës me Armandon janë të gjithë elementët e trekëndëshit themelor që ndikon jetën e fëmijës: fëmijë, familje, komunitet. Përveç ndihmës që i jepet vogëlushit, edhe familjarët e tij konsultohen dhe trajnohen për t’i ndihmuar në procesin e integrimit të Armandos.

 “Jam shumë e kënaqur me rezultatet që ka arritur djali që nga dita e parë e terapisë. Unë si prind e shoh përparimin e fëmijës tim nga seanca në seancë. Edhe këshillat që kemi marrë si prindër na kanë ndihmuar shumë,” – thotë mamaja e Armandos.

Vogëlushit i pëlqejnë ëmbëlsirat dhe në mënyrë të veçantë biskotat, të cilat ka mësuar edhe se si t’i kërkojë. Me hapa të vegjël, por të përditshëm, Armando vazhdon të përmirësohet në fushën e ndërveprimit social, komunikimit dhe sjelljes. Ai është në gjendje të identifikojë pjesë të ndryshme të trupit dhe të zbatojë udhëzime të thjeshta si: “çohu”, “ulu”, “më jep”, “bëj bravo” etj.

Armando identifikon të gjithë anëtarët e familjes, si dhe objekte të ndryshme të jetës së përditshme. Njeh ngjyrat dhe mund të imitojë zgjatjen e tingujve me ndihmën e terapistëve dhe prindërve. Shishja e flluskave dhe topi janë objektet e tij të preferuara, të cilat ka arritur që t’i tregojë me gisht.

Terapistja thotë se identifikimi në të kuptuar është i kënaqshëm. 6-vjeçarit i pëlqejnë lojërat dhe ka mësuar sesi të përdorë lodrat. Armando realizon shumë mirë “puzzle” të thjeshta dhe mund të luaje me kutinë e formave; mund të fusë rruazat në fill, si dhe të ngulë kunjat në vendin përkatës.

Shpresa e familjes është që Armando të rritet, të përmirësohet, të ndërtojë marrëdhënie të shëndetshme sociale dhe pse jo, një karrierë dhe pavarësi të plotë. Eksperienca na tregon se shembuj të tillë frymëzues nuk mungojnë.

World Vision në bashkëpunim me bashkinë Lezhë ofron çdo javë terapi në shtëpi për 40 fëmijë të kësaj zone përmes programit social “Tungjatjeta Jetë”. Në total, janë 196 fëmijë me aftësi të kufizuara që marrin shërbim në shtëpi  përmes programit “Tungjatjeta Jetë” në bashkitë Librazhd, Prrenjas, Dibër, Bulqizë, Lezhë dhe Rrogozhinë. Ky program në bashkitë Librazhd, Lezhë dhe Rrogozhinë mbështetet edhe nga fondi social i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.