Të jetosh mbi re, njihuni me apartamentin më spektakolar në botë (FOTOT)

92

Nëse doni të flini mbi re, dhe të jetoni në një prej apartamenteve më spektakolarë në botë, bëni gati 170 milionë dollarë. Papafingo magjike ndodhet në katin e fundit, të 96-in të një godine 426 metra të lartë në Manhatan.

Banesa, me një sipërfaqe totale prej 743 metrash katrorë, del për herë të parë në shitje prej pesë vitesh dhe për herë të parë publikisht. Brenda saj, orenditë janë të firmave luksoze si Louis Vuitton, Hermes dhe Bentley.

Pronari i saj është manjati saudit i pasurive të patundshme, Fawaz Al Hokair, i cili e ka blerë apartamentin në vitin 2016, për 88 milionë dollarë, për ta shitur tashmë për gati dyfishin e vlerës, sipas një raportimi të “Wall Street Journal”.

Apartamenti gjigant ka 6 dhoma dhe 7 tualete, një tavolinë ngrënieje oniksi për 12 persona, një piano mondane dhe një fasadë madhështore që sheh nga “Central Park”. Gjithashtu ka një bibliotekë private, një oxhak dhe një dhomë gjumi me mermer. Dyshemetë e tualeteve janë me ngrohje, ndërsa kuzhina e mbushur me elektroshtëpiake të fjalës së fundit të teknologjisë.

Godina ku ndodhet edhe papafingo quhet Park Avenue dhe është ndërtuar nga “Macklowe Properties” dhe “CIM Group”, me arkitekturën e Rafael Vinoly.