Teknologjia që në klasën e parë, 100 shkolla të arsimit bazë publik pajisen me Laboratorë Smart

245

Viti i ri shkollor startoi sot për të gjitha institucionet arsimore parauniversitare në vend.

Sot në shkollën 9-vjeçare “Jeronim De Rada”, në kryeqytet,për herë të parë u fut kurrikula e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) që do të zhvillohet që në klasë të parë.

Këtij qëllimi i shërben Laboratori i ri digjital Smart i kësaj shkolle, që u inaugurua sot dhe që do të jetë pjesë e kabineteve mësimore në të paktën 100 shkolla të arsimit bazë publik të vendit.

Qasja e nxënësve kundrejt aftësive të kodimit do të realizohet ndërmjet një platforme Code Monkey dedikuar programimit të bazuar në bllok, e cila i mundëson atyre interaktivitet digjital, argëtim dhe nxënie produktive.

Programi i TIK-ut për klasën e parë është konceptuar mbi bazën e krijimit të njohurive dhe aftësive digjitale të nxënësve që në moshë të hershme, duke respektuar kuadrin moshor dhe nivelin fillestar të njohurive që këta nxënës zotërojnë.

Ky program, – i hartuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë britanikë të AADF, specialistë të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), specialistë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI),  përfaqësues të kabinetit të Ministrisë së Shtetit për Fëmijët dhe Rininë, – zhvillon fushën dhe kompetencat kryesore përmes 4 tematikave kryesore: Bota e kompjuterit, Hyrje në multimedia, Të menduarit kompjuterik dhe kodimi, Siguria e të punuarit në kompjuter.