Tepelena lidhet me bregdetin e Himarës, vijojnë punimet për rrugën Kuç-Gusmar

121

Vijojnë me intensitet punimet për rikonstruksionin e rrugës Kuç-Gusmar.

Aksi që lidh bashkë Tepelenën dhe Himarën, si dhe qarkun e Gjirokastrës me rrugën e Lumit të Vlorës dhe bregdetin pritet të krijojë një ofertë të re turistike.

Investimi në këtë aks rrugor sipas standardeve më të mira, parashikon ndërtimin e 4 urave, nga të cilat njëra arrin gjatësinë edhe më të madhe prej 30 metrash dhe një tjetër 10 metra, dhe dy urat e tjera janë në gjatësi më të vogla që janë nga 6 e 5 metra gjatësi.

Aksi shoqërohet me mure masive mbajtëse pasi një pjesë e rrugës kalon në anë të shkëmbit dhe një pjesë tjetër është me mbushje. Aktualisht 5 km të kësaj rruge janë gati për shtresën e asfaltit.

Ky projekt është pjesë e “paketës së ndërhyrjeve”, ndërthurur më rrugën e Lumit të Vlorës dhe Bençë–Lekdush. Prej kohësh një domosdoshmëri infrastrukturore për të vënë në lëvizje agroturizmin në zonë, si dhe tregtinë e produkteve bujqësore e blegtorale. Dhe jo vetëm. Më pranë bregdetit dhe më pranë shërbimeve kryesore në qendrat përkatëse të bashkive.

Natyra që shoqëron të gjithë këtë aks është një eksplorim më vete i turizmit malor, sepse jugu nuk ka vetëm plazhin e bukur.

Ky aks rrugor ndihmon në zhvillimin e zonës si për potencialin e saj turistik ashtu edhe për tregtarët e zonës për të shitur produktet e tyre që prodhojnë. Me përfundimin e kësaj rruge udhëtimi nga Tepelena në Himarë do të kryhet për një orë.