TGcom24: Shqipëria parajsa e pensionistëve italianë

3

”Kursejmë 25 000 euro në vit”, thonë ata për TGcom24

Shqipëria është shndërruar në parajsën e pensionistëve italianë, të cilët pohojnë se nga kjo gjë kursejnë 25 000 euro në vit, shkruan TGcom24.

”Mirëserdhe në Shqipëri, kjo është parajsa e pensionistëve italianë!”.

Kështu e mirëpret Carmine Iampietro e APIA (Shoqata e Pensionistëve Italianë në Shqipëri) korrespondenten e rubrikës “È sempre Cartabianca”, e cila mbërriti në Durrës për t’u takuar me një grup bashkatdhetarësh që kanë zgjedhur të ndryshojnë shtet dhe të zhvendosen në qytetin bregdetar, pasi i kanë dhënë fund punës.

”Ka një konventë dypalëshe mes dy kombeve, sipas së cilës Italia, duke lëvizur vendbanimin këtu dhe duke qëndruar më shumë se gjashtë muaj në vit, detyrohet t’ju japë një pension bruto”, vijon burri, duke nënvizuar se tani ishte në gjendje të përfitonte 1 500 euro në muaj, krahasuar me 1 150 që kishte më parë.

”Duke bërë disa përllogaritje, këtu mund të kursejmë deri në 25 000 euro në vit”, shton një tjetër pensioniste, e cila u vendos me bashkëshortin e saj.

”Në Itali, nëse arrinim të kursenim 5 000 euro ishte një mrekulli”, thekson ajo.

Sipas rrëfimeve të pensionistëve italianë, nuk është vetëm gjendja financiare e përmirësuar, por edhe cilësia e jetës.

Në Shqipëri, në fakt, kostoja e mallrave dhe e shërbimeve është shumë më e ulët, kështu që është e mundur të kënaqeni me shumë ushqime të tjera, me aperitivë, spa, kurse kërcimi latinoamerikan dhe darka restorantesh.

”Një pjatë spageti me fruta deti kushton 7,5 euro, një pjatë e mrekullueshme friturë e përzier kushton më pak se 10”, shpjegon Isabella Ruggeri, e cila punon në një agjenci që merret me transfertat jashtë vendit.

“Që nga pandemia, rreth 2 000 pensionistë kanë mbërritur këtu”, thekson ajo.

/ata.gov.al