“The Brave”, një produksion shqiptaro-amerikan i përmasave hollivudiane

260

“The Brave” është filmi i frymëzuar nga ngjarjet e Lazaratit dhe që nga e premtja po shfaqet në të gjitha kinematë e Tiranës dhe Prishtinës. Producenti amerikan i filmit Joe Issa Zaraui tregoi se filmi sjell historinë e një oficeri të pakorruptuar të policie (Louis Mandylor, që ka luajtur te Big Fat Greek Wedding) në luftë kundër mafias së hashashit që ka pushtuar një fshat shqiptar.

Në këtë film luajnë 3 aktorë të njohur shqiptarë, Bes Kallaku, Vin Bejleri dhe Mensur Safqiu. Në të luajnë aktorë të mëdhenj amerikanë si Armand Assante, por dhe 3 nga aktorët më të famshëm rusë, ndër ta edhe Ravshana Kurkova e Yuryi Kutsenko, i cili sipas producentit Zaraui, konsiderohet në Rusi në përmasat e Al Paçinos.

Filmi me regji nga regjisori amerikan William Kaufman (që ka punuar dhe me Dolf Lundgreen dhe fituesin e çmimit Oskar, Cubs Gooding Junior) ka skena aksion me përmasa hollivudiane dhe në të duket përpjekja e forcave RENEA për të vënë nën kontrollin e ligjit fshatin që mbjell hashash e ku ka ngritur perandorinë e tij të drogës bosi amerikan i drogës, italo-amerikani Frank Pedulla (Armand Assante).

E veçanta e filmit është që për të kanë investuar investitorë shqiptarë që sipas producentit Zaraui, janë angazhuar në film me dëshirën e mirë për të dhënë imazhin e në Shqipërie tjetër, jo si ajo që portretizohet në filmin Taken. “Jo të tërë shqiptarët janë si tek “Taken””, thotë Koloreto Cukali, bashkëproducenti shqiptar i filmit.

Filmi, i mbështetur nga “Digitalb”, do të ketë premierën në Rusi pas një jave, dhe më pas do shfaqet në mbi 4 mijë kinema të e atij vendi, sipas producentit Zaraui.