Thethi magjepsës, mes fluksit turistik dhe ruajtjes së trashëgimisë

139

Thethi prej vitesh është kthyer në një prej destinacioneve më të preferuar në Veri të Shqipërisë. Numri I turistëve vit pas viti ka ardhur në rritje çka ka bërë që edhe nevoja për shtimin e kapaciteve akomoduese të vijë në rritje. Gjithsesi deri më sot orientimi ka qenë drejt shfrytëzimit të bujtinave ekzistuese. Plani sektorial i turizmit të Alpet nënvizon se deri në 2030 Thethi do të ketë një kapacitet akomodues prej 1500-1550 shtretër  por nuk këshillon ndërtimin e hoteleve duke e plotësuar këtë mangësi me shpërndarjen e kapacitetit akomodues në bujtina 1050-1080  dhe kamping 450-465.

Për të ruajtur vlerat e Thethit dhe tipologjinë që kanë sot bujtinat në këtë zonë, çka është vlerë kyçe , GIZ dhe një seri donatorësh të tjerë kanë hartuar me ekspertë të fushës një udhëzues për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

“Thethi që përbën njërin prej 2 vendbanimeve të mëdha të Alpeve do të ketë deri në vitin 2030 rreth 1550 shtretër nga 1200 sa ka aktualisht. E ndërkohë që ndërtimet në Alpet Shqiptare vazhdojnë në mënyrë të pakontrolluar përkundër mungesës së shpeshtë të lejeve të ndërtimit dhe të dokumentacionit të rregullt të pronës mbi tokën nevoja e një dokumenti si udhëzuesi bëhet gjithnjë e më urgjente” thuhet në udhëzues.

Ndër të tjera ky dokument ndalet tek fakti  që bujtinat duhet të kenë tipologjinë origjinale që ka zona lidhur me ndërtimet duke shmangur sic eshte pare ne disa raste catite e kuqe apo ndertimet aspak karakteristike per zonen. Forma e dyerve, dritareve, çative dhe çdo element tjetër përbërës duhet të jenë të ruajë origjinalitetin çka shërben edhe si atraksion për turistët.

Mënyra sesi duhet të ndërtohen shtigjet nëpër zonën e Thethit, gjerësia e tyre, fakti që nuk duhet të ketë beton apo të mungojë sinjalistika. Po kështu lidhur me mullinjtë udhëzuesi vlerëson se pavarësisht se ato janë ndërtuar nga një familje apo fis janë konsideruar e mirë publike, ndërkohë që duhet të ketë fonde mirëmbajtje nga Bashkia.

Lidhur me gardhet rrethues udhëzuesi rekomandon që të mos lejohen gardhe me beton, me hekur të rrahur, me muraturë tulle apo blloqe betoni.

Manuali jep një seri këshillash praktike që i shërbejnë qytetarëve por edhe njësive të qeverisjes vendore për të mbajtur si vlerë të shtuar ndërtimet në këtë zonë por nënvizon se nuk është detyrues dhe nuk vendos sanksione.