Thirrja e tretë e IPARD II/ Ja kur mund të aplikojnë për financim fermerët që investojnë në bujqësi

20

Programi IPARD II, në thirrjen e tretë, financon Masën 1 me një buxhet total prej 21,5 milionë euro, ku një aplikant mund të përfitojë më shumë se një projekt investimi dhe do të mbështetet deri në 1,5 milionë euro, për të gjithë kohëzgjatjen e periudhës së programit.

Masa 1 mbështet fermerët për projektet e investimeve në fermë si dhe për blerjen e mekanikës bujqësore deri në 60% të totalit të kostove të pranueshme të investimit.

Ndërkohë që në këtë masë, në thirrjen e tretë të Programit IPARD II parashikohet mbështetje deri në 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri nën moshën 40 vjeç dhe financim deri në 70% për investimet në zona malore.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural bën të ditur se aplikimet për thirrjen e tretë të programit IPARD 2 hapen zyrtarisht më 10 dhjetor, që do të thotë se fermerët dhe agrobiznesi duhet ta shfrytëzojnë këtë kohë deri në ditën e hapjes së aplikimeve, për të bërë gati dosjet dhe planbizneset e tyre.