Tirana do të ketë 12 km korsi të dedikuara për biçikleta

327

Krijimi i korsive të biçikletave në Tiranë ka dhënë efektet e para, pasi po përdoren masivisht nga qytetarët e të gjitha grupmoshave.

Përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ka përfunduar ndërtimi i korsive të biçikletave në dyja anët e rrugës. Një tjetër korsi biçikletash është krijuar në bulevardin “Zogu i I”.

Por Tiranës i janë shtuar edhe korsitë ngjyrë jeshile apo të kuqe të cilat i has në shumë zona të qytetit si përgjatë lumit të Lanës, apo në zonën pranë Parkut të Liqenit.

Rrjeti i korsive do të kompletohet edhe përgjatë unazës dhe rrugës së Kavajës, duke sjellë një lehtësim të qarkullimit për gjithë kryeqytetin.

Bashkia e Tiranës ka parashikuar ndërtimin e 12 km korsi të dedikuara për biçikletat. Aktualisht në punimet që po kryhen për sistemim e infrastrukturës së rrugëve po i kushtohet hapësirë edhe lëvizjes me biçikleta.

Krahas përmirësimit të infrastrukturës, Bashkia e Tiranës ka futur si risi edhe përdorimin e biçikletave Mobike, duke e renditur kryeqytetin shqiptar mes vendeve më të zhvilluara.