Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022

25

Tirana triumfoi në Amiens të Francës, ku mes 5 qyteteve kandidate, u shpall zyrtarisht si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022.

Tirana u vlerësua për fokusin që ka pasur tek të rinjtë, duke filluar nga ata më të vegjlit me çerdhet, kopshtet, shkollat, këndet e lodrave e deri te studentët me rikonstruksionin e konvikteve, apo krijimin e një sërë lehtësirave që ofron tashmë karta e studentit e kthyer në një realitet.

Nga dhjetëra qytete të Europës që aplikuan, mes pesë qyteteve finaliste ishte renditur edhe Tirana, krahas Kazanit (Rusi), Poznań (Poloni), Varaždin (Kroaci) dhe Baia Mare (Rumani).

Qytetet finaliste për EYC 2022 u përzgjodhën nga një panel i pavarur si Parlamenti Europian, Komiteti i Rajoneve, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, etj.

Akordimi i këtij çmimi është edhe një mundësi fantastike për ta kthyer Tiranën 365 ditë plot me aktivitete dhe në një pikë takimi për mijëra të rinj nga shumë vende të Europës.