Tirana është edhe zyrtarisht “Qyteti Europian i Sportit” për vitin 2023, ndërsa titullin e mori kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një ceremoni të mbajtur në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel.
Veliaj shoqërohej nga kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli dhe zv/ministri i Arsimit dhe Sportit, Endri Hoxha.
Në fjalën e tij, Veliaj tha se viti 2023 do t’i kushtohet tërësisht sportit në kryeqytet dhe se do të jetë një parapërgatitje e mirë për Shqipërinë në Lojërat Olimpike 2024 dhe ato Mesdhetare.
“Është një mënyrë e mirë për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike në 2024 dhe për Lojërat Mesdhetare në vitin 2026. Një njeri mund të fitojë një ndeshje, por duhet një skuadër për të fituar një kampionat dhe sot skuadra e Tiranës, e ka fituar këtë kampionat,” vijoi Veliaj.
Nga ana e tij, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e konsideroi titullin si “përmbyllje kuptimplotë e vitit 2022 për Tiranën, por edhe fillimi më i bukur për vitin 2023”.
“Po të kemi parasysh se, në vitin 2022, Tirana ishte Kryeqyteti i Europës për Rininë, dhe në fakt, si kryeqytet i tillë ka mikpritur aktivitete shumë të rëndësishme, duke mos harruar finalen e rëndësishme të Ligës së Konferencës së 25 majit në Tiranë, shpallja këtu, në selinë qendrore të Parlamentit Europian, në Bruksel, e Tiranës ‘Qyteti Europian i Sportit’ është një mesazh shumë i rëndësishëm për gjithë atë që po ndodh, transformimin e rëndësishëm që Tirana po përjeton dhe me një fokus të veçantë tek sportet. Viti 2023 do ta gjejë Tiranën me projekte të mëdha të zhvillimit të fushave sportive, jo vetëm në atë që është sporti më i dashur, futbolli, por edhe në plot sporte të tjera, që lidhen me aktivitetin olimpik. Ringjallja e aktivitetit olimpik në Shqipëri është gjëja e duhur. Prandaj, gjej rastin ta uroj Erion Veliajn dhe Bashkinë e Tiranës për punën e shkëlqyer. Vlerësimi për ta shpallur Tiranën ‘Qyteti Europian i Sportit’ lidhet me politikat e ndërmarra nga bashkia dhe me vizionin e zhvillimit të qytetit të Tiranës, jo vetëm si kryeqytet i Shqipërisë, por tashmë si një kryeqytet i sportit evropian,” u shpreh Balla.
Kujtojmë që Tirana këtë vit ka mbajtur stafetën ‘Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë’, ku një sërë aktivitetesh janë organizuar për të rinjtë në të gjithë vendin.
businessmag.al