Tiranë, çelet projekti për financimin e nismave të grave sipërmarrëse

43

Të gjitha ato gra që kanë një ide biznesi, mund të bëhen pjesë e projektit të Bashkisë së Tiranës për fondin “Fuqizimi i grave dhe nxitja e sipërmarrjes”.

Prej datës 27 maj, Bashkia e Tiranës ka lançuar projektin që u vjen në ndihmë grave sipërmarrëse, përmes financimeve nga burimet publike.

Kështu, çdo e interesuar brenda territorit të Tiranës, mund të aplikojë për grante, në mbështetje të krijimit të një biznesi, apo zgjerimit të një aktiviteti ekzistues, në mënyrë që ta bëjë atë sa më konkurrues në treg.

Përveç mbështetjen në formë granti, projekti i Bashkisë do të ofrojë gjithashtu trajnim për aftësitë në biznes, si dhe mbështetje për gra me orientime profesionale dhe kualifikime për të qenë të suksesshme në fushën e përzgjedhur.

Për t’u bërë pjesë e projektit, të interesuarat do të mund të aplikojnë me idenë e tyre për biznes, duke plotësuar Formularin e Aplikimit. Ndërsa në fazën e dytë, aplikantët e pranuar do të marrin pjesë në një trajnim për zhvillimin e planit të biznesit

Më pas, në fazën e tretë, fituesit do firmosin një kontratë 18-mujore për të marrë financimin e grantit dhe mbështetje këshilluese.

Edhe në këtë projekt, Bashkia e Tiranës ka një vëmendje të shtuar për kategoritë më sensitive, e konkretisht për gratë kryefamiljare, gratë nga zonat rurale të Bashkisë së Tiranës, ato me aftësi ndryshe, si dhe gratë nga komuniteti rom dhe egjiptian.

Ndërsa sa u takon aktiviteteve të pranueshme për biznes, ato janë nga sektorë të ndryshëm, ku gratë sipërmarrëse mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre, si: bizneset rurale, turizmi, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, industria tekstile, shërbimet, dhe artizanati.

Të gjitha ato gra që duan të bëhen pjesë e projektit duhet të dorëzojmë Formularin e plotësuar të Aplikimit pranë Sektorit të Pritjes me Qytetarin në Bashkinë e Tiranës, deri në datë 17 qershor së bashku me dokumentacionin e nevojshëm.