Tiranë, hapen zyrat e reja të Njësisë Administrative Nr.14

1360

Banorëve të zonës së Astirit, Unazës së Madhe dhe Kasharit nuk do t’u duhet të shkojnë deri në Kombinat për të marrë një certifikatë apo shërbime të tjera që ofrohet  nga njësia administrative. Bashkia e Tiranës ka hapur Njësinë Administrative Nr.14, e cila do të mbulojë me shërbime rreth 70 mijë banorë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pa nga afër mjediset dhe kushtet që ofrojnë zyrat e reja të kësaj njësie, ndërsa theksoi se qytetarët do të marrin një shërbim shumë më të shpejtë dhe cilësor.

Ai ftoi banorët të tregohen bashkëpunues për të mirën e tyre dhe të transferojnë pa asnjë pagesë gjendjen civile të tyre në njësinë e re.

Veliaj dha një lajm të mirë jo vetëm për banorët e kësaj lagje, por për gjithë Tiranën, se duke nisur nga java e ardhshme, njësitë administrative do të shtojnë mjediset për aplikimet për karta identiteti, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata dhe çdo qytetar të pajiset me mjetin e identifikimit në një kohë sa më shkurtër.