Tiranë, nis fushata e ndërgjegjësimit për diferencimin e mbetjeve

381

veliaj-te-shkolla-emin-duraku-7Bashkia e Tiranës ka nisur me nxënësit e shkollave fushatën e ndërgjegjësimit të qytetarëve për procesin e grumbullimit të diferencuar të mbetjeve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë sot në nisjen e fushatës me nxënësit e shkollës “Emin Duraku”, e cila është shkolla e parë që i bashkohet nismës për zhvillimin e orëve të mësimit mbi mënyrën e ndarjes në burim të mbetjeve, mbajtjen pastër të qytetit dhe respektimit të mjedisit.

Administratori i “Eco Tirana”, Diego Testi, vlerësoi këtë projekt të nisur nga Bashkia e Tiranës, ndërsa sqaroi se fushata e ndërgjegjësimit me nxënësit do të vijojë edhe muajin e ardhshëm, si përçuesit më të mirë të mesazhit. “Sot fillojmë punën për nismën e kërkuar nga kryebashkiaku Veliaj dhe kryetari i Bashkisë së Veronës, Flavio Tosi, për diferencimin e mbetjeve në Tiranë. E nisim me fëmijët sepse ata janë e ardhmja. U kërkojmë atyre që të këshillojnë familjet, se si të diferencojnë mbetjet në burim dhe si të fillojmë këtë operacion në rrugë të ndryshme, për një të ardhme më të mirë. Do të vijojmë me dëgjesa të ndryshme edhe në muajin e ardhshëm. 144 mijë fëmijë do të marrin informacion në të gjitha shkollat publike dhe private në qendër të qytetit, kjo falë bashkëpunimit me mësuesit e institucioneve arsimore”, tha Testi.